Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk u paraqit as këtë të martë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike ku ka qenë i ftuar.
Por, shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës për “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021” ka sjellë tensione në mes të pozitës dhe opozitës.
Debatet nisën pasi deputetët e pozitës “mbronin punën” e ministrit Aliu, ndërsa opozitarët kërkonin që raporti të shkojë në Kuvend për shqyrtim.
Halil Thaçi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka theksuar se ministri Aliu ka qenë target i opozitës që nga fillimi i mandatit, duke përmendur çështjen e shitblerjes së tokave të shtetit.
“Pas atyre ofendimeve fyerjeve të pabaza, sikur unë të isha ministër, nuk do të isha ardhë në këtë komision. Po shihet që vazhdimisht nga fillimi i mandatit ka qenë target opozitës dhe disa mediave z. ministri Liburn Aliut. Krejt kjo po ndodh se dikush është mësuar që të blejnë tokë nga shteti me 50 euro arin e ta shesin me 5 mijë euro arin”, ka thënë deputeti Thaçi.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, iu kundërpërgjigj deputetit Thaçi duke i thënë se gabim ia kanë shkruar fjalimin.
“Gabim ta kanë shkru fjalimin, mos e lexo këta, po duhesh me folë ata çka ti e mendon. Gabim e ki të shkrume. Të kisha thanë me e çu dorën e me votu raportin, mos u bë dallavergji”, është shprehur Bytyqi.
Më pas, Thaçi i është drejtuar duke i thënë se kanë pikë të dobët këtë çështjen e pronës, ndërsa ka përmendur edhe rastin prej 53 milionë eurosh, për të cilin është dënuar ish-ministri Pal Lekaj.