Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se homologu i saj nga Danimarka,Peter Hummelgaard, të hënën e 12 shkurtit do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, Haxhiu tha se qëllimi i kësaj vizite është takimi i ministrit danez me krerët e institucioneve të Kosovës dhe me grupet parlamentare të opozitës.
“Sa i përket marrëveshjes ndërkombëtare për Mbretërinë e Danimarkës, ministri i Drejtësisë i Danimarkës do të jetë në Kosovë në vizitë zyrtare më 12 dhe 13 shkurt. Qëllimi i kësaj vizite është që të takohet sërish me ne si institucione, por edhe me grupet parlamentare opozitare dhe mendoj që kjo marrëveshje duhet të futet në rend dite pas vizitës së tij në Kosovë”, njoftoi ajo.
Kosova dhe Danimarka nënshkruan më 20 dhjetor një letërpëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.
Për këtë huazim, sipas letërpëlqimit, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.
Në atë kohë, ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se nënshkrimi i letërpëlqimeve është vetëm hapi i parë drejt arritjes së një marrëveshjeje, që më pas duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, “të dënuarit, të cilët do të transferohen [nga Danimarka] në Kosovë, nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë”.
Kosova kishte 1,642 të burgosur në vitin 2020, përkatësisht 97 për qind të kapacitetit të saj, sipas Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës.