Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Hasani tha se Thaçin e gjeti në formë të mirë shpirtërore dhe optimist.
“E gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do të trimfojë. Ishte vërtetë mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, qetësia dhe kthjelltësia e vizitonit që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm që proceset gjyqësore janë një maratonë me t’përpjeta e tatëpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht.”, ka thënë Hasani.
Ndër të tjera, ai i përcjelli urimet më të mira të drejtuesve të qeverisjes së shtetit, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama si dhe sigurinë që si më parë, mbështetja nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë.
“Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet as sakrificat e bijëve të vet ashtu si dje në luftë, por edhe sot në paqe”, u shpreh Hasani.
Po ashtu, ministri Hasani u shpreh se e ka informuar ish-presidentin zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe vendet e rajonit.
Hasani gjithashtu, ka bërë thirrje për një proces gjyqësor të përshpejtuar, transparent dhe politikisht të paanshëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Një mbresë e pashlyeshme për mua si Ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, por edhe si qytetar dhe admirues i përpjekjes së Hashim Thaçit, dhe gjithë atyre burrave që janë brenda në këtë gjykatë për lirin e Kosovës”, ka përfunduar Hasani.