Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, përgjatë vizitës së tij në Kosovë, do ta takojë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe njëherësh, zëvendëskryeministren dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën.
Përmes një postimi në Facebook nga Ministria e Punëve të Jashtme, është bërë e ditur se pas pritjes nga Gërvalla, ministrat kanë darkuar bashkë, ku kanë biseduar për bashkëpunimin në mes të të dyja shteteve dhe projekteve të përbashkëta.
Të dielën e 19 qershorit, Gërvalla dhe Çavusoglu do të kenë takim zyrtar së bashku, ku pas takimit, siç është bërë e ditur, të dy ministrat do të mbajnë një konferencë për media.
Nga ana tjetër, në orën 11:00, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq pas takimit do të ketë komunikatë për media.
Ministri i jashtëm turk me të arritur në Kosovë ka shkruar se, ndalesa e fundit e vizitës së tij në Ballkan është “në Kosovën miqësore dhe vëllazërore”.
“Jemi në Kosovën miqësore dhe vëllazërore, ndalesa e fundit e vizitës sonë në Ballkan”, kishte shkruar në Twitter, Çavusoglu.
Në darkën zyrtare të së shtunës, pjesëmarrës ishin edhe ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe ambasadorët e të dyja shteteve përkatëse.