Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(SHSKUK), Valbon Krasniqi, kanë vizituar të hënën disa klinika në QKUK me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Klinikat që ata kanë vizituar janë, Spitali Pediatrik-Kirurgjik, Klinika e Kirurgjisë Torakale dhe Qendra Emergjente e QKUK-së.
Përmes një postimi në Facebook, nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet e ditur se Latifi ka falënderuar personelin shëndetësor dhe atë mbështetës për punën që po bëjnë dhe angazhimin e tyre për t’u ofruar qytetarëve shërbime shëndetësore në çdo kohë.
“Gjatë kësaj vizite, në diten e festës së Bajramit, Ministri ka bashkëbiseduar edhe me pacientë që po marrin shërbime në klinikat e QKUK-së dhe familjarët e tyre”, thuhet në njoftim.
Ministri Latifi ka shprehur përkushtimin e tij për transformimin e sistemit shëndetësor, duke pasur prioritet kryesor pacientët dhe cilësinë e shërbimeve për ta, dhe, gjithashtu, përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies për profesionistët shëndetësorë.