Ministri i Financave, Hekuran Murati, të hënën e 18 korrikut, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se me qëllim që të rritet numri i të punësuarve , është marrë vendim nga Qeveria e Kosovës që të mbështeten familjet në nevojë.
Sipas tij, kjo Qeveri punon në interes të familjeve, prandaj është inicuar skema “Qeveria për Familjet” target i së cilës sipas tij, janë familjet në nevojë, duke ua mundësuar atyre që ta kenë të paktën një anëtar të punësuar.
Murati ka thënë se si, prioritet i kësaj Qeverie janë drejtësia dhe puna, prandaj edhe është inicuar kjo masë e re sa i përket punësimit, pra mbajtësve të familjes.
Sipas Muratit, bizneset që janë të interesuar të punësojnë mbajtës të familjes dhe të mbështesin me 70% të pagës bruto, duhet të lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, të tregojnë për numrin e stafit dhe kualifikimet që u duhen.
“Duhet të regjistrohen në agjencinë e Zyrës së Punësimit, kopjen e biznesit, OJQ, Bizneset të jenë të regjistruara dhe aktive në Administratën Tatimore të Kosovës, OJQ-të të jenë të regjistruara dhe aktive në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kopjen e leternjoftimit të pronarit dhe listën e të punësuarve”, ka thënë Murati.
Ndërsa, punëkërkuesit respektivisht mbajtësit e familjes duhet të jenë të moshës 18-64 vjeç, të mos kenë asnjë anëtar të punësuar, të regjistrohen si të papunë në agjencinë e punësimit në zyrat rajonale.
Po ashtu ata duhet të dorëzojnë kopje të leternjoftimit, kopje të diplomës dhe një CV, në mënyrë që të tregojnë se në cilat fusha mund të japin kontribut.
Murati ka bërë të ditur se kompensimi për punëdhënësin do të jetë 70 për qind e pagës bruto (maksimumi 300 euro në muaj subvencionim nga Qeveria për punëtor).
Ndërsa personat e angazhuar përmes kësaj skeme, nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të stafit ekzistues të biznesit.
Ai ka thënë se me anë të kësaj mase po realizohet një premtim i Qeverisë së Kosovës që të mbështeten familjet në nevojë dhe që nuk kanë asnjë të punësuar.
“Nuk ka qenë e lehtë gjatë dy viteve të fundit, ka pasur kriza në vazhdimësi, pandemia, energjia elektrike, invazioni rus në Ukrainë, rritja e çmimeve”, ka shtuar ai.
“Jemi munduar të marrim masa të nevojshme të mbështesim qytetarët, me pako të ringjalljes ekonomike, po ashtu kemi dorëzuar në Kuvend projektligjin për pagë minimale si dhe reformë të asistencave sociale, për familjet në nevojë dhe mundësi për punësime”, ka shtuar ndër të tjera Murati.
Ai ka thënë se kjo masë “Qeveria për Familjet” do të zgjasë sa është e nevojshme, deri sa Qeveria është e gatshme të mbështesë familjet në nevojë.
Po ashtu, Murati ka bërë të ditur se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që nga sot ka hapur aplikimin për skemën “Qeveria për Familjet”.
Paga minimale dhe veteranët
Ndërsa i pyetur për projektligjin për pagë minimale se a është bërë ndonjë ndryshim për përfshirje të veteranëve, ai ka thënë “Në projektligjin e kemi dorëzuar ashtu siç është, sa i përket veteranëve, kemi pasur një takim, ka mbetur që të shqyrtohet propozimi nga Qeveria, mbetet të shohim si do të zgjidhet situata më tutje”.
Ndërkaq sa i përket fryerjes së listave, ai ka thënë se raportimi cili është i rrejshëm do të bëhet në Gjykatë, prandaj nga ana e Qeverisë sipas tij, nuk mund të komentohet kjo gjë.
Çmimet tavan dhe kriza ekonomike
Ndërsa sa i përket vendimit që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT) të përcaktojë çmimet tavan të derivateve, ai ka thënë se ky vendim ka pasur efekt.
“Një vendim që tash është marrë në ligjin për derivate, tashmë po ka efekt, krahasuar me periudhën para këtij vendimi, çmimi i naftës është 20 centë më lirë, i benzinës 30 centë më lirë”, ka thënë Murati.
Sipas tij, kjo mund të bëhet edhe për produktet bazike.
Konkursi për Kryeinspektor të Punës dhe Drejtor të ATK-së
Murati është pyetur se a ka qenë emërimi në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria dhe drejtorit në ATK, i ligjshëm, ai është përgjigjur se të dyja konkurset kanë qenë në bazë të ligjit, prandaj siç thotë ai, mbetet të shihet vlerësimi i Këshillit.
“Në konkursin e kemi shpallur në bazë të ligjit dhe procedurës në ATK, që të dyja rekrutimet janë bërë në dy ligjet që mbulojnë këto agjencione, ka bazë ligjore, ka qenë vlerësim i Këshillit”, ka shtuar Murati.