Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka ndarë detaje nga pjesëmarrja e tij në Forumin Strategjik të Bledit.
Me anë të një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se integrimi drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat rajonale e globale nga agresioni rus, qenë temat në fokus të bisedimeve.
“Situata aktuale në vend në kontekst të integrimit në BE, rëndësia e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese, temat aktuale ndërkombëtare, me theks të veçantë në sfidat rajonale dhe globale nga agresioni rus ndaj Ukrainës, ishin në fokus të bisedimeve”, ka shkruar ai.
Krahas kësaj, i njëjti ka treguar edhe përfaqësuesit, me të cilët, ka zhvilluar takime.
“Takime të shumta dypalëshe me përfaqësues të lartë të disa vendeve, në kuadër të pjesëmarrjes së sivjetme në Forumin Strategjik të Bledit; ministren suedeze për Çështje të BE-së, Xhesika Rosvallo, ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski, sekretarin e Shtetit për Çështje Europiane të Portugalisë, Tiago Antunes, përfaqësuesin Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Piç; anëtarin e Këshillit të Shtetit të Francës dhe ish-këshilltarin e Presidentit francez, Aleksandre Adam, si dhe me eurodeputetin dhe raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, Ilhan Kjuçuk”, ka shkruar ai.
Në forumin strategjik të Bledit mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.