Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka thënë se incidenti në Uzinën e Armëve në Gramsh nuk është një rast i zakonshëm dhe as nuk po trajtohet sikurse një i tillë.
Përgjatë një deklarate për media, ministri Peleshi ka thënë se duke marrë parasysh dhunën në një zonë të ndaluar ushtarake, dyshimet për spiunazh janë prezente dhe njëherësh, ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë të sigurta.
“Nuk duhet të minimizohet as të shkaktohet asnjë lloj paniku, sepse Shqipëria dhe Kosova janë të sigurta. Agjencia jonë e inteligjencës ka qenë pranë ngjarjes”, tha Peleshi.
Ndër të tjera, ai ka konfirmuar raportimet lidhur me gjendjen stabile të dy ushtarëve shqiptarë të sulmuar mbrëmë.
“Gjendja e ushtarakëve është e mirë, sot janë gati për të dalë. Po presim të zbardhet. Ajo që ka ndodhur dhe nga dëshmia e ushtarakëve. Tre shtetas të huaja u janë afruar ish-uzinës ushtarake të Gramshit. Nuk ka aktivitet si godinë. Një prej tyre ka kapërcyer rrethimin në mënyrë të paligjshme. Në këtë moment dy ushtarakët i kanë parandaluar. Shtetasi rus ka përdorur një spraj dhe pavarësisht lëndimit ushtarakët e kanë ndaluar. Janë ndaluar dy shtetasit e huaja. Më pas janë ndaluar edhe dy shtetasit e tjerë. Çështja është një ngjarje edhe në kontekstin gjeopolitik. Nuk mund të kalojë si një incident i zakonshëm. Fakti që është reaguar dhunshëm na bën të jemi më të vëmendshëm”, ka thënë ai.
Tutje, u raportua se rusët e përfshirë në incidentin e së shtunës pretendonin të kenë qenë blogerë dhe për këtë, Peleshi tha se përgjigjen do ta japë në fund të hetimeve.
“Nuk mund të them nëse janë blogerë apo jo. Kemi të bëjmë me një ngjarje se ka dhunë brenda. Nuk bëhet fjalë për një protestë të ligjshme, janë futur në një ambient ku nuk duhet të lejohet të futen. Kemi të drejtë të dyshojmë pasi për spiunazh, pasi çdo shtetas i huaj që futet në një zonë ushtarake për të fotografuar dyshohet për spiunazh”, tha Peleshi.
Dy ushtarë shqiptarë të cilët ishin caktuar në detyrë për ruajtjen e Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh, kanë mbetur të lënduar mbrëmjen e së shtunës pasi janë përplasur fizikisht me dy shtetas rusë dhe një ukrainas, të dyshuar si agjentë.
Ushtarët shqiptarë kanë dëgjuar lëvizje të dyshimta te personat, të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë në Gramsh, dhe janë afruar për t’i larguar.
Në momentin që janë afruar ka pasur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë dhe rusëve, ku njëri prej tyre ka përdorur sprej dhe ka lënë të lënduar ushtarët shqiptarë.
Shtetasit e dyshuar kanë sulmuar me armë kimike ushtarët në Uzinën e Çekinit të Gramshit (ish-uzina mekanike e Armëve).
Çfarë deklaruan dy rusët dhe ukrainasi pasi u arrestuan nga policia për incidentin në Gramsh