Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha për agjencinë Tanjug se “Serbia nuk i ka shitur, as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, e as shteteve që e rrethojnë atë konflikt”.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL lidhur me raportimin e Reuters për këtë çështje.
“Qëllimi i dikujt është padyshim që të destabilizojë shtetin tonë dhe ta tërheqë atë në një konflikt, në të cilin ne nuk do të marrim pjesë. Ne vazhdimisht qëndrojmë në politikën që kemi vendosur”, tha Vuçeviq për Tanjug.
Ai tha se edhe më herët Serbia kishte hedhur poshtë pretendimet se i shet armë Ukrainës.
“Ne i kemi mohuar këto gënjeshtra për më shumë se dhjetë herë, dhe ja ku jemi, po e bëjmë përsëri. Serbia nuk i ka shitur, e as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, as shteteve që e rrethojnë atë konflikt”, tha Vuçeviq.
Ministri serb, po ashtu, tha se Serbia u shet armë palëve të treta, që sipas tij, janë larg konfliktit në Ukrainë, dhe nuk kanë lidhje me të.
“Gjithmonë ekziston mundësia që në mënyrë magjike të gjendet ndonjë armë në territorin e konfliktit, por kjo nuk ka të bëjë absolutisht me Serbinë. Kjo është pyetje për ato shtete që nuk respektojnë normat ndërkombëtare, klauzolat e kontratave dhe praktikat e të bërit biznes. E përsëris, Serbia nuk ka dërguar armë në Ukrainë dhe gjithçka që publikohet për këtë temë janë të pavërteta”, tha Vuçeviq.
Qeveria e Vuçiqit ka shprehur neutralitet në luftën në Ukrainë, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të shtetit të tij me Rusinë.
“Nëse dokumenti është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për t’i dërguar armë Ukrainës”, tha Janusz Bugajski, ekspert për Evropën Lindore në Fondacionin Jamestown.
Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke hetuar dokumentet që kanë dalë në publik, ndërkaq Pentagoni po vlerëson dëmin që i është shkaktuar sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Në grafikun e Pentagonit përgjigjet ndaj kërkesave për ndihmë të bëra nga Ukraina janë ndarë në katër kategori: shtetet që janë zotuar të ofrojnë trajnim dhe ndihmë vdekjeprurëse; shtetet që veçse kanë ofruar trajnim, ndihmë vdekjeprurëse apo të dyja; shtetet që kanë aftësi ushtarake dhe vullnet politike “për të ofruar në të ardhmen ndihmë vdekjeprurëse”.
Austria dhe Malta janë të vetmet shtetet që janë shënjuar me “jo” në të katër këto kategori.
Zbulimi i këtij grafiku vjen vetëm një muaj pasi dokumentet u publikuan në një kanal pro Rusisë në aplikacionin Telegram, dhe supozohet se dokumentet tregojnë për dërgesën e bërë nga një prodhues serb i raketave tokë-tokë të llojit Grad 122 milimetërsh. Kjo dërgesë supozohet se u dërgua në Kiev në nëntor. Dokumenti po ashtu përfshin edhe një manifest të dërgesës dhe një certifikatë të përdoruesit përfundimtar që thuhet se është Qeveria ukrainase.
Moska tha në mars se i kishte kërkuar Beogradit një shpjegim zyrtar lidhur me dërgesat e pretenduara, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS që citoi zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Prodhuesi serb i armëve, Krushik, mohoi se ka ofruar raketa apo armë të tjera për Ukrainën. Vuçiq i cilësoi këto pretendime si “gënjeshtra”.
“Nuk kemi eksportuar asnjë armë apo municion në Rusi apo Ukrainë”, tha ai më 5 mars, teksa po vizitonte Katarin.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë shkurtin e vitit të kaluar, Vuçiq ka tentuar të balancojë raportet e ngushta që ka me Moskën dhe qëllimin e tij që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Por, Serbia është shteti i vetëm mes 44 shteteve të Evropës që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.