Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov ka thënë se zyrtarët ukrainas do të kryejnë një auditim të brendshëm të plotë të prokurimeve të bëra nga forcat e armatosura të vendit, pas një serie bastisjesh të fundit kundër korrupsionit.
“Ne kemi nisur një auditim të brendshëm që kontrollon të gjitha sistemet e prokurimit. Është ende në progres”, ka thënë Reznikov.
“Dhe unë mendoj se brenda një jave, ata duhet të përfundojnë zyrtarisht auditimin e të gjitha procedurave për shkurt. Pastaj ata do të kontrollojnë gjithçka. Dhe më pas, do të “vihet në tavolinë” për vendimet e duhura”.
Përpjekja e fundit kundër korrupsionit e presidentit Volodymyr Zelensky shihet si një hap kyç drejt pranimit të mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero ka thënë se çrrënjosja e korrupsionit është “një dimension i rëndësishëm i procesit të pranimit në BE”.
Autoritetet ukrainase kanë zbuluar rezerva parash, si dhe ora luksoze e makina, gjatë bastisjeve të kryera në të gjithë vendin muajin e kaluar.
Midis personave të kapur në hetime është dhe ushtruesi i detyrës së kreut të autoritetit tatimor të Kievit, i cili dyshohet se ishte pjesë e një skeme për të anashkaluar 1.2 miliardë dollarë hryvnia ukrainase në taksa të papaguara, raporton CNN.