Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, ka akuzuar kompaninë private “Pharma Leader” për falsifikim të dokumenteve, e cila është ofertuese në tenderin për insulina.
Ministri Vitia tha se provat që i ka siguruar Ministria i ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.
“E kemi ftuar këtë konferencë të jashtëzakonshme me shkas. Jemi sot këtu që ta shprehim shqetësimin tonë lidhur me dyshimet për veprën penale falsifikim të dokumenteve në tender nga operatori ekonomike ‘Pharma Leader’”, tha ministri Vitia.
“Dje, më datë 12.06.2023, jemi njoftuar zyrtarisht se kompania në fjalë nuk ka pasur asnjë leje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës. As nga prodhuesi amerikan e as nga kompania në Maqedoni, të cilën pretendon”, shtoi ministri i Shëndetësisë.
Kompania “Pharma Leader” është një nga ofertuesit në tenderin për insulina, i cili po “zvarritet” nga Ministria e Shëndetësisë tash e dy vjet. /EO