Ministria e Arsimit ndan bursa për nxënësit e drejtimeve deficitare

Vlera e bursës për nxënës do të jetë 500 euro për një vit shkollor, ndërsa numri total i bursave është për 70 nxënës

Ministria e Arsimit do të ndajë bursa për nxënësit e drejtimeve deficitare dhe për drejtimet teknike për vitin shkollor 2023/2024. Sipas të dhënave nga shkollat, drejtimi më deficitar është ai Metalpunues, ndërsa për këtë profil, kërkesa është shumë e madhe në tregun e punës. Vlera e bursës për nxënës do të jetë 500 euro për një vit shkollor, ndërsa numri total i bursave është për 70 nxënës.

Me qëllim të mbështetjes së nxënësve në profile të rëndësishme për tregun e punës, Ministria e Arsimit ndan bursa për nxënës në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në drejtimet deficitare si dhe bursa për vajza në drejtime teknike. Këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Maliqaj, tha se në drejtimet deficitare mund të aplikojnë të gjithë nxënësit e shkollave profesionale, ndërsa për drejtimet teknike vetëm vajzat.

“Bursat për drejtimet deficitare janë: Teknik për dizajnin e medieve interaktive, Instalues elektrik, Veterinë, Mekatronikë, Asistent i turizmit dhe udhëtimeve, Përpunimi i drurit/zdrukthëtar, Hortikulturë.

Pra, të gjitha drejtimet e lartpërmendura konsiderohen si drejtime deficitare andaj edhe kemi vendosur t’iu ndajmë bursa. Ndërkaq, bursat për vajza në drejtimet teknike vlejnë për këto drejtime: Metalpunues ,Instalues elektrik, Instalues i ngrohjes, Klimatizimit dhe ujësjellësit, Automekanik, Teknologjia e riciklimit, Teknik i sistemeve të TIK-ut”, tha Maliqaj.

Drejtori i Shkollës “Shtjefan Gjeçovi”, në Prishtinë, Blerim Gërvalla tha për Radio Kosovën se drejtimi më deficitar është Metalpunues, e që sipas tij, ka shumë nevojë tregu i punës. Por, ai tha se për këtë degë, Ministria ndan bursa vetëm për vajzat, e që siç tha, nuk ka asnjëherë interesim nga vajzat për të vijuar mësimin në këtë drejtim. Gërvalla inkurajoi që për drejtimet Metalpunues dhe Automekanik, të ndahen bursa edhe për djem.

“Është shumë e vështirë në Kosovë që një familje të orientojë vajzën në drejtimin Metalpunues ose Automekanik. Prandaj, unë mendoj që këtu duhet të përmirësohet, në këto profile duhet të jepen bursa edhe për djem. Do të shkojë edhe një periudhë e gjatë që në drejtimet Metalpunues dhe Automekanik, vajzat të synojnë që të regjistrohen. Në këto profile duhet të vijnë edhe djemtë, sepse janë shumë të kërkuara në tregun e punës, e ndërkohe edhe djemtë hezitojnë të regjistrohen. Nuk diskutohet asnjëherë vendi i punës për metalpunues dhe pagat janë shumë të mira, rreth 800 deri në 1 mijë euro”, deklaroi Gërvalla.

Drejtori Gërvalla tha se Ministria e Arsimit dhe DKA-të është mirë që ta rrisin numrin e bursave, pasi, sipas tij, nevojat e tregut të punës për këto profile janë shumë të larta dhe nxënësit hezitojnë të regjistrohen në ato drejtime.

“Me dhënien e bursave, unë besoj shumë që kjo do të ndikojë pozitivisht në shtimin e numrit të nxënësve që do të regjistrohen në këto profile. Inkurajoj që ky numër të shumëfishohet dhe jam shumë i bindur që interesimi i nxënësve do të rritet, madje edhe i atyre me rezultate të shkëlqyeshme”, tha ai.

Vlera e bursës për nxënës do të jetë 500 euro për një vit shkollor, ndërsa numri total i bursave është 70, prej tyre 40 në drejtimet deficitare dhe 30 në drejtimet teknike./RTK

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika