Grupi ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe me bazë gjinore e ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit lidhur me shëndetin riprodhues dhe fertilizimit të asistuar mjekësor.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë përmes një postimi në Facebook.
“Pas deklarimeve me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit të shprehura në parlament dhe në medie, kundër projektligjit mbi shëndetin riprodhues dhe fertilizimit të asistuar mjekësor, si dhe kundër autonomisë trupore të grave, Grupi Ndërministror Kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj grave dhe Dhunës me bazë gjinore shpreh reagim të njëzëshëm ndaj retorikës së tillë”, u shpreh ministria.
“Ne theksojmë nevojën për të përqendruar diskutimet në lidhje me shëndetin riprodhues në bazë të fakteve dhe në prizmin e të drejtave të njeriut, duke shmangur gjuhën e urrejtjes që ul parimet themelore të barazisë gjinore dhe autonomisë së grave”, thuhet në njoftim.
Ministria tha se përgjigjja e kësaj thekson angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të individëve, veçanërisht të grave, për të marrë vendime të informuara.
“Këto të drejta, janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlerat mbi të cilat qëndron Kushtetuta e vendit i ka vendosur në Nenin 7”, bën të ditur ministria.