Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka dhënë detaje për zjarrin nga i cili është kapluar një objekt në kazermën e FSK-së, në Istog.
Në njoftimin e tyre thuhet se ndaj zjarrit është reaguar shpejt dhe i njëjti ka arritur të lokalizohet me kohë, duke mënjanuar mundësinë e përhapjes në objektet e tjera përreth.
“Në lidhje me zjarrin e sotëm që ka kapluar njërin nga objektet në Kazermën e FSK-së në Istog, ju njoftojmë se menjëherë në vendngjarje kanë intervenuar pjesëtarët e Regjimentit të dytë të Këmbësorisë dhe personeli përkatës i Komandës së Forcave Tokësore, të cilët të mbështetur nga Njësia e Zjarrfikësve të Istogut, Klinës, Pejës dhe Skenderajt kanë arritur të lokalizojnë zjarrin duke e kufizuar vetëm brenda perimetrit të këtij objekti montazh, kësisoj duke mënjanuar mundësinë e përhapjes në objektet e tjera përreth”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë të ditur se janë duke u hetuar shkaqet e këtij zjarri, por që sipas tyre dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e instalimit të vjetruar të energjisë elektrike.