Ministria për Kthim dhe Komunitete ka thënë se me disa raportime të pabazuara, Qeveria e Kosovës ka bllokuar importin apo kalimin e produkteve dhe paisjeve mjekësore në komunat veriore që nga 24 shtatori, e sipas tyre, ky informacion nuk është i vërtetë.
“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që përmes Komisionit për Donacione të Ministrisë së Shëndetësisë të sigurojë që furnizimi i donacioneve të jetë i papenguar dhe të trajtohen me prioritet të gjitha kërkesat për donacione. Deri në datën e këtij njoftimi, asnjë kërkesë e kësaj natyre nuk është refuzuar apo shtyrë për miratim nga Komisioni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete të përkthyer në gjuhën shqipe.
Në këtë njoftim thuhet se Ministria e Shëndetësisë shpreh gatishmërinë që menjëherë të furnizojë çdo institucion shëndetësor në këto komuna të Kosovës ku jetojnë qytetarët e komunitetit serb, për çdo mungesë, nevojë, kërkesë lidhur me produkte dhe pajisje mjekësore.
Ministria për Kthim dhe Komunitete ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore në komunën e Mitrovicës Veriore, komunës së Zveçanit, komunës së Zubin Potokut, komunës së Leposaviqit që të gjitha kërkesat për plotësimin e nevojave për produkte apo pajisje mjekësore t’i dërgojnë Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu, sigurojmë se çdo kërkesë do të trajtohet me prioritet dhe urgjencë të lartë në shërbimin e mbrojtjes së shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës në vazhdimësi furnizon komunat e Parteshit, Ranillugut, Graçanicës, Shtërpcës ku jetojnë qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Po ashtu, kjo Ministri ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore që të mos hezitojnë dhe të denoncojnë të gjitha defektet e produkteve dhe pajisjeve në Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar shërbim të vazhdueshëm për çdo qytetar në këto komuna.