Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke e dënuar me 700 euro gjobë, lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Aktgjykimi ndaj ministres Hajdari u shpall në mungesë të saj të enjten nga gjykatësja e rastit, Donikë Shala-Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjykatëses Shala-Abdyli, në rast se ministrja nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgim shuma prej 20 euro.
Obligohet e akuzuara që në emër të shpenzimeve procedurale dhe atë në emër të pashuallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 eurosh dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 eurosh, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rozeta Hajdari akuzohej për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Aktakuza thotë se e pandehura Hajdari në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka respektuar nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë.
Tutje, akti akuzues thotë se edhe pas njoftimit me kohë nga zyrtarja përgjegjëse e ministrisë përkatëse për detyrimin e deklarimit të pasurisë së saj me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e zgjedhur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 3 shkurtit 2020, e po ashtu edhe përkundër shtyrjes së afatit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 deri më 19 qershor 2020, e njëjta deklarimin e pasurisë nuk e ka bërë as brenda këtij afati shtesë ligjor.
Me këtë, Hajdari akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.