“Gatishmërinë e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit” e mori nga ata që i pati afër vetes gjatë tërë mandatin.
Por, procesi i konsultimeve të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, me përfaqësues të partive të tjera nga pakicat, nuk pati një rrjedhë të tillë në ditën e dytë.
Rëndësia që mund të ketë secila votë në procesin e votimit të qeverisë së ardhshme, këtë të enjte, u tranmetua tek kryeministri në detyrë, me kërkesa konkrete.
Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, po kërkon formimin e një komune për këtë komunitet.
Duda Balje, Kryetare e SDU-së deklaroi se “Sot ne kemi pasur takimin e parë. Dola para kryeministrit me disa kërkesa të cilat ne si boshnjakë i kemi. Nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi dhënë asnjë konfirmim. Domethënë, është takimi i parë, jemi në fazën e bisedimeve, asgjë më konkrete.”
Për takimin e Baljes, në një komunikatën e lëshuar nga qeveria u tha se diskutuan për procesin dhe rëndësinë e formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit të deritanishëm në ekzekutiv dhe legjislativ.
Mbështetjen, Kurti nuk e ka të sigurt as nga ministri i tij nga komuniteti turk, Fikrim Damaka.
Në takimin me ministrin në detyrë të zhvillimit rajonal, zyra e kryeministrit tha se të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim.
Por pa e konkretizuar bashkëpunimin zyrtarisht.
Votën nuk ia konfirmoi as deputeti Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane.
“Biseduam për një bashkëpunim të mundshëm midis nesh. Normalisht, ne si PLE, për shkak të kërkesave tona që janë në raport me zhvillimin e komunitetit egjiptian, në parim, nuk kemi asnjë vijë të kuqe, me askënd. As me kryeministrin Kurti, as me askënd në Kosovë. Ne i patëm kërkesat tona dhe nëse hyjmë në qeveri, kërkuam që të kemi mundësi për të ndikuar në politikat qeveritare”, tha Veton Berisha, Partia Liberale Egjiptiane
Kurti takimet i vazhdoi edhe me Albert Kinollin, Kryetar i Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, i cili tha se takimi ishte miqësor, por nëse do të japin votën e tyre, duhet pritur 15 prilli.
“Ne kemi parashtruar kërkesat tona, njëra prej të cilave ka qenë që të jemi të barabartë me të gjitha subjektet e tjera që janë në vijë me ne. Po presim 15 prillin”, deklaroi Albert Kinolli, Kryetar i Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës
Kurti takimet i vazhdoi edhe me Rasim Demirin nga koalicioni Vakat që tha se është i gatshëm për bashkëpunim me Kurtin.
Më herët, edhe kur ka qenë Qeveria Kurti I edhe Qeveria Kurti II, ne kemi pasur bashkëpunim me kryeministrin. Shpresoj që edhe tash do të kemi bashkëpunim. Sot kemi pasur një takim të rëndësishëm, kemi biseduar shumë gjëra. Edhe kryeministri ka gatishmëri, edhe ne kemi gatishmëri për formimin e institucioneve dhe Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Rasim Demiri, Koalicioni Vakat
Në vazhdën këtyre takimeve, në zyrën e tij në Qeveri, Kurtit i ka shkuar edhe kryetari i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, derisa ciklin e takimeve me partitë e komuniteteve jo shumicë Kurti e ka përmbyllur me kryetarin e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi dhe deputetin e zgjedhur nga ky subjekt, Artan Asllani.
Kurse nuk dihet Kurti nëse do të ketë takim me Artan Asllanin nga Partia e Ashkalinëve për Integrim.
Kurti një ditë më parë ka marrë konfirmimin e votave nga Elbert Krasniqi, Nenad Rashiq dhe Emilja Rexhepi, që edhe ishin pjesë e qeverisë Kurti 2.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, është caktuar për 15 prill.