Mira Murati largohet nga OpenAI

Mira Murati, Foto: AFP

Mira Murati, drejtuesja për teknologjinë në organizatën OpenAI, ka njoftuar se do të largohet nga kompania e inteligjencës artificiale.

Murati largimin e saj e bëri të ditur përmes një shkrimi në rrjetin X.

Nga ana tjetër, gjatë këtij viti shumë drejtues të lartë të kompanisë janë larguar.

“Po largohem sepse dua të krijoj hapësirën dhe kohën e duhur për të bërë eksplorimet e mia”, ka shkruar Murati në rrjetin X.

Shefi Ekzekutiv i firmës OpenAI, Sam Altman, ka reaguar në postimin e saj në rrjetin X, duke e falënderuar Mirën për kontributet e saj.

“Do të shprehem më gjerësisht së shpejti për planet e tranzicionit, por për tani, dua ta shfrytëzoj këtë moment vetëm për të ndjerë falënderim”, ka shkruar Altman.

Largimi i Muratit vjen pas një fushate që çoi në sigurimin e 6.5 miliardë dollarësh në investime për kompaninë që llogaritet të kenë një vlerë prej 150 miliardë dollarësh, në varësi të ndryshimit të strukturës së saj në një koorporatë.

OpenAI ka në plan të tjetërsojë strukturën e saj në një koorporatë fitimprurëse dhe do t’i ofrojë Altmanit një pjesë të pronësisë së saj, sipas një njoftimi nga agjencia e lajmeve Reuters. Fushata për financimin ende nuk është mbyllur, ndërsa kompania është në proceset përfundimtare.

Ende nuk dihet me saktësi nëse largimi i Mira Muratit do të ndikojë në fushatën për mbledhjen e fondeve. Një klauzolë në proces i lejon investitorët që të tërhiqen nga marrëveshja nëse kompania përballet me gjëra që mund të ketë ndikim negativ.

Për 6 vjet e gjysmë, Mira Murati ka qenë pjesë e organizatës që ka krijuar inteligjencën artificiale të njohur si ChatGPT, dhe shërbeu për një kohë të shkurtër si shefe e kompanisë kur bordi drejtues e largoi bashkëthemeluesin Sam Altman.

Sipas të dhënave të saj në rrjetin LinkedIn, Murati mori rolin e nënpresidentes për inteligjencën artificiale të aplikuar në firmën OpenAi në dhjetor të vitit 2020 dhe u ngrit në detyrë duke marrë postin e shefes për teknologjinë në maj të vitit 2022. Më herët ajo ka punuar për një firmë të realitetit virtual dhe të shtuar si dhe për kompaninë Tesla.

Murati në rolin e drejtueses për teknologjinë, shfaqej shpesh përkrah Altmanit si simboli i krijuesit të aplikacionit ChatGPT.

Mira Murati drejtoi prezantimin e variantit të inteligjencës artificiale GPT-4o, i aftë për të zhvilluar një bisedë reale me zë. Vendimi i Murati është i fundit në një seri largimesh të drejtuesve të lartë të kompanisë OpenAI.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Të fundit nga rubrika