Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të mërkurën e 24 gushtit është miratuar koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë.
Ministëri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky është një moment i rëndësishëm për kulturën në Kosovë.
“Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës”, ka shkruar Çeku.
“Ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës dhe të Zyrës së Kryeministrit, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë”, ka vijuar ai.
Miratimin e këtij koncept-dokumenti, Çeku e ka quajtur reformë kulturore dhe se do të jetë udhërrëfyres shtetëror për çdo lloj mase.
“Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes i yni shtetëror për çdolloj mase që duhet të ndërmarrim për t’i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend”, ka shtuar Çeku.
Ai më tej ka theksuar se kjo reformë ka për qëllim nxitjen e krijimtarisë cilësore, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjëve si dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë.
“Reforma në kulturë synon zvogëlimin e burokracisë, nxitjen e krijimtarisë cilësore, mbrojtjen dhe fuqizimin e artistit, diversifikimin e burimeve të financimit, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjve dhe zhvillimin e audiencave në mënyrë që si rezultat i të gjitha këtyre kultura të ketë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, ka potencuar ministri Çeku.
Ndër të tjera, ai ka thënë se ky koncept-dokument është rezultat i një procesi njëvjeçar të diskutimeve me komunitetin e hulumtimeve dhe analizave.