Shumica parlamentare në Kuvend si rrallë herë ka qenë tamam e tillë të martën.
Pas dy dështimeve të kaluara, në tentimin e tretë, Lëvizja Vetëvendosje arriti ta miratojë në lexim të parë projektligjin i cili i hap rrugë rritjes së pagës minimale.
Por, ky veprim nxiti kundërshtime e akuza.
Pro projektligjit i cili nuk i përfshin veteranët e UÇK-së në rritjen e pagës minimale votuan 68 deputetë, kurse abstenuan nëntë deputetët e grupit multi etnik.
Por, iniciativa ligjore nuk u mbështet vetëm nga partia në pushtet. Pro projektligjit që kundërshtohet nga veteranët, votoi edhe Lista Serbe.
Kurse, me vendimin e partisë së tij nuk u pajtua sërish deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli.
Ish-ushtari i UÇK-së, pasi nuk mori fare pjesë në votim, në shenjë pakënaqësie u largua nga seanca.
Më pas akuzoi LVV-në për bashkëpunim me deputetët serbë.
Kurse seancën nga fillimi e bojkoti PDK-ja.
“Në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Rezultati i votimit e nxori në konferencë të jashtëzakonshme kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai hodhi akuza të rënda në drejtim të pushtetit.
“Sot është një ditë e çuditshme në Kuvend. Edhe Rrahmon Morina ua kish marrë lakmi sot Konjufcës dhe Kurtit. Sot e kemi parë një fitore të fëmijëve të UDB-ës, e përkrahur edhe nga votat e Listës Serbe”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Gjatë kësaj kohe Kuvendi ishte i mbushur me policë.
Brenda hollit të legjislativit zunë vend policë me rroba civile, kurse jashtë tij zbarkoi Njësia Speciale.
Kur u kuptua se veteranët nuk do të protestojnë gjatë ditës, forcat policore u larguan.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve, para gazetarëve doli Mimoza Kusari – Lila.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, mohoi se kanë kërkuar votat e Listës Serbe.
Ajo akuzoi PDK-në për një bashkëpunim të tillë me deputetët serbë për të dëmtuar pozicionin e Qeverisë.
“Grupi Parlamentar i LVV-së ka diskutuar vetëm me grupin multietnik. Fatkeqësisht në mungesë të PDK-së, ata e dërguan Listën Serbe që t’i japin këtë konotacion i cili pastaj u përcjell apo është përcjellë edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Projektligji, sipas Kusari – Lilës do të miratohej edhe pa votat e Listës Serbe.
Ndër të tjerash, gjatë seancës, Kuvendi emëroi Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili i hap rrugë funksionalizimit të Autoritetit të Konkurrencës.