Me 80 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se shqyrtimi dhe miratimi i këtij projektlgiji është i nevojshëm për krijimin e bazës ligjore lidhur me të drejtat dhe obligimet për pjesëtarët e FSK-së.
Partitë opozitare e kanë mbështetur në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shërbimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ato kanë votuar pro këtij ndryshimi.
Sipas tyre, ndryshimet brenda ligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në janë në përgjithësi të nevojshme, e në këtë rast deputetët i shohin të domosdoshme këto ndryshime.
Ndryshe, para se ky Projektligj të hidhej në votim, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkoi që debati parlamentar për grevat e BSPK-së të vendosej para shqyrtimit të projektligjeve.
Por e njëjta nuk u miratua, ngase 30 deputetë votuan pro dhe mbi 40 votuan kundër.