Të martën e 10 majit, është mbajtur mbledhja e katërt e Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
Mes shqyrtimeve të asambleistëve, është përfshirë edhe lokacioni i ri i festivalit “Suny Hill”.
Festivali i cili zakonisht mbahet në fillim të muajit gusht, është paralajmëruar se këtë vit do të ketë një lokacion të ri, në Bernicë.
Kuvendi ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të afro dy hektarëve tokë për kompaninë “Sunny Hill SH.P.K”.
26 asamblistë komunalë kanë votuar pro vendimit, 19 kundër dhe tre kanë abstenuar.
PDK- dhe LDK kanë qenë pro këtij propozim-vendimi, ndërsa AAK dhe LVV janë shprehur kundër marrëveshjes së arritur në mes të kryetarit Rama dhe kompanisë “The Sunny Hill” Sh.P.K.
“Ne e kemi diskutuar si grup parlamentar dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës në shfrytëzim për “The Sunny Hill” në Bernicë, dhe ne do ta votojmë këtë pikë. Jemi të lumtur që kjo pikë erdhi me procedurë të rregullt, ne jemi të lumtur që me procedurë të rregullt ky festival po jetësohet në Prishtinë”, ka thëna Jeta Rafuna nga LDK.
Ndërkohë, përfaqësuesit nga AAK dhe LVV kanë qenë kundër pasi, sipas tyre, nuk është e arsyeshme të shfrytëzohen aq shumë hektarë vetëm për festival “Sunny Hill”, në vend se të shfrytëzohen për projekte të tjera.
“Ky festival bie artistë të njohur botëror në Prishtinë, ku më parë nuk ka pasur artistë botëror që kanë ardhur në atë masë, dhe ka krijuar mundësi për një numër të madh të turistëve që vijnë për festival. Festivali ka sjellë tetë, nëntë milionë euro të hyra për kryeqytetin. Krijon mundësi punësimi, krijon ekonomi, dhe ideja është që Sunny Hill të ngritën në atë nivel që të joshin sa më shumë turistë”, është shprehur më tej Rama.
Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Arta Balaj, ka theksuar se kompanisë “Sunny Hill” do t’i jepen për shfrytëzim dy parcela.
Duhet vënë në pah se “The Sunny Hill Sh.P.K.” ka të drejtë të shfrytëzojë tokën edhe organizime tjera, krahas festivalit të njohur Sunny Hill.