Ish-punëtori i një kompanie për mirëmbajtjen e kamerave, që kishte shkuar në banesën e të pandehurit, Dardan Krivaqës, të enjten e 29 dhjetorit ka dëshmuar para trupit gjykues në Ferizaj.
Besart Mani, i cili tash jeton në një shtet tjetër, ka treguar se me kërkesë të klientit kishte shkuar në banesë të Krivaqës për të kthyer kamerat disa ditë më parë në gushtin e vitit të kaluar.
Ai tha se gjatë kohës sa ka qëndruar aty e ka parë edhe një person tjetër dhe se nuk kishte vërejtur diçka jo të zakontë.
Ai tutje tha vetëm se ka nuhatur një erë jo të mirë, dhe se Krivaqa i kishte kërkuar të kthente kamerat për shkak se dyshonte se dikush i familjes kishte hyrë brenda në banesën e tij, ku jetonte me të ndjerën Marigona Osmani.
Tashmë seanca gjyqësore ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, e mbajtur më 29 dhjetor, ka përfunduar.
Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu janë duke u ballafaquar me akuza për dhunimin dhe vrasjen e 18 vjeçares, Marigona Osmani.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën, Marigona Osmani.
Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.