Albumi i ri i kantautores amerikane Pink, “Trustfall”, po i kryeson toplistat muzikore këtë javë.
Adhuruesit e muzikës votuan përmes një aplikacioni të publikuar nga “Billboard”, duke e përzgjedhur albumin e nëntë të incizuar në studio të popyllit veteran, si incizimin e preferuar të javës që e lamë pas.
“Trustfall” është albumi i parë i Pinkut që vjen pas atij të vitit 2021, “All I Know So Far: Setlist”.
Projekti i ri muzikor u paralajmërua nga këngët, “Never Gonna Not Dance Again”, balada e mrekullueshme “When I Get There” e cila është dedikim për babain e saj të ndjerë dhe kënga që e mban titullin e albumit, “Trustfall”.
Albumi po ashtu përmban bashkëpunime me artistë të tillë si, “The Lumineers”, “First Aid Kit” dhe Chris Stapleton.
Pak para publikimit të tij, Pink e realizoi një intervistë ekskluzive për portalin “Billboard”, ku tregoi se si u krijua ky projekt dhe e shpjegoi rëndësinë e titullit të tij.
“Ishte shumë e lehtë ta emërtoja këtë album. Mendoj se ngritja nga shtrati, përgatitja për ta filluar ditën, dërgimi i fëmijëve në shkollë, përkushtimi ndaj një lidhjeje, angazhimet e të qenit prind dhe gjithçka tjetër, kërkon shumë besim. Dhe shumicën e kohës, ne ndihemi sikur po biem mbrapa dhe nuk e dimë se ku është toka”, deklaroi këngëtarja.
Këtë verë, Pink e fillon turneun muzikor “Summer Carnival 2023” që ka për qëllim promovimin e albumit “Trustfall”.
Me këtë rast në skenë ajo do të shoqërohet nga disa mysafirë specialë, si Brandi Carlile, Pat Benatar & Neil Girlado, “Grouplove” dhe KidCutUp.