Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Nathalie Loiseau, ka deklaruar se dita e zgjedhjeve ka kaluar pa incidente të dukshme, duke theksuar se qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar ndaj demokracisë.
Në konferencë për media, ajo ka theksuar se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të mira për votuesit, por sfidat janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. Për këtë, ajo ka thënë se duhet të ketë transparencë të plotë për çdo gjë që nuk ka shkuar si duhet.
“Vështirësi në zbatimin e procedurave janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. Ne kemi vëzhguar se KQZ-ja ka pasur sfida sa i përket punësimit, trajnimit dhe prokurimit kjo mund të ketë shkaktuar vonesa të konsiderueshme të cilat tani janë të pamohueshme. Duhet të këtë transparencë të plotë për aty gjëra që nuk po shkojnë si duhet dhe pse”, ka deklaruar ajo para mediave.
Ndërkohë, ajo ka deklaruar se fushata zgjedhore ishte shumë konkurruese, por polarizimi dhe ndarja e thellë mes partive ishte evidente, sidomos në retorikën e ashpër të përdorur gjatë debateve dhe mitingjeve.
Ajo gjithashtu ka shprehur shqetësimin për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bllokimin e Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili ka pasur vështirësi në marrjen e vendimeve gjatë fushatës.
Po ashtu, sipas saj, PZAP-ja ka pasur një volum të madh rastesh dhe ka treguar aftësi për të marrë vendime të shpejta.
“Ne kemi parë raste të politizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë procesit zgjedhor, ne kemi vërejtur me shqetësim bllokimin e Komisionit të Pavarur të Mediave i vili ia pamundësoi atij të marrë ndonjë vendim gjatë fushatës. Në anën tjetër, PZAP-ja është përballur me një vëllim shumë të madh të rasteve dhe demonstrojë aftësinë e tij për të marrë vendime të shpejta, shqiptoj gjoba të mëdha”, ka theksuar mes tjerash ajo.
Kritika të ashpra nga ana e saj u adresuan edhe ndaj përdorimit të gjuhës nxitëse dhe sulmeve verbale ndaj oponentëve nga partitë politike, si dhe ndaj gjuhës negative të partisë në pushtet, LVV-së, kundër medias dhe gjyqësorit.
“Ne kemi vërejtur përdorimin e shfrytëzimin e gjuhës nxitëse dhe sulmet verbale mbi oponentët në mitingje në debate televizive. Ne kemi vërejtur me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet kundër medias dhe gjyqësorit”, ka theksuar ajo.
Loiseau, gjithashtu ka thënë se deklaratat e emisarit të Administratës Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, gjatë fushatës zgjedhore janë ndërhyrje të cilat mund të vlerësohen si diçka jodiplomatike.