Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk e ka pranuar kërkesën e qytetarëve për iniciativën e largimit të kryetarit, Erden Atiq.
Në dokumentin të cilin e ka siguruar Dukagjini, thuhet se kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të M.V, pasi nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023.
“Kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për shkak se kërkesa nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023 për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”, thuhet në dokument.
Ndryshe, më 5 dhjetor, serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupet nismëtare, të cilët kanë paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarëve.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin, për Portalin Dukagjini ka thënë se tre persona kanë shkuar para komunës dhe kanë lexuar diçka, por se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë konkrete.
“Ka një iniciativë prej komunitetit serb. Kanë ardhur kanë lexuar diçka para komunës, por nuk kanë bërë ndonjë kërkesë, diçka në lidhje me mospunën e kryetarëve, por nuk kemi mbajtur ndonjë takim. Unë jam në vendin e punës, por skam pranuar ndonjë kërkesë “, kishte thënë Ugljanin.
Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka miratuar në shtator udhëzimin administrativ që përcakton rrugën ligjore për largimin e kryetarëve nga detyrat e tyre përmes peticionit.
Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, këto grupe përveç kryesuesve të kuvendeve komunale, duhet të njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Udhëzimit pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.
Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.
Më pas, KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.
Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që t’i mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.
Më pas, nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për ta përmbushur këtë kuotë, ku në bazë të kësaj, nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.