Një ekip i mjekëve ushtarakë tashmë ka udhëtuar nga Hungaria për në Kosovë, për t’u kujdesur dhe kthyer në shtëpi ushtarët hungarezë të KFOR-it, që janë plagosur gjatë përleshjeve në Zveçan me protestuesit serbë.
Kështu ka raportuar Shërbimi i Hungarisë i Radios Evropa e Lirë.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën.
Tre ushtarë hungarezë të KFOR-it janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit” gjatë përplasjeve me protestuesit serbë, të hënën në Zveçan, bëri të ditur misioni paqeruajtës i NATO-s.
Në njoftimin dërguar mediave thuhet se tre ushtarët “nuk kanë plagë vdekjeprurëse”.
Në përleshjet e një dite më parë u plagosën gjithsej 30 ushtarë të KFOR-it: 19 hungarezë dhe 11 italianë.
KFOR-i ka thënë se dhuna e së hënës në Zveçan ishte e “paprovokuar”.