Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të premtën e 23 shtatorit, ka mbajtur konferencë për media lidhur me shkarkimet dhe emërimet e paligjshme të pjesëtarëve të shërbimit diplomatik nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
“Vendimet e jashtëligjshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës po rëndojnë shërbimin e jashtëm, dhe po pengojnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Mjekiqi.
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, tha se veprimet e kësaj ministrie, përveç që janë të kundërligjshme, kanë edhe implikime të mëdha financiare.
“MPJD-ja ka zgjedhur të veprojë krye në vete e në kundërshtim me ligjin, në shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm, i tillë është edhe rasti për rekrutimin e 32 zyrtarëve në misionet diplomatike, konkurs ky të cilin u kërkua që MPJD ta anulojë”, u shpreh Mjekiqi.
Ajo theksoi se Ministria e Jashtme ka bërë shkelje flagrante të ligjit, e për këtë nuk do të mbetet pa pasoja.
“Ka shkelur nenin 38 që përcakton lëvizjet e stafit brenda kategorisë dhe nenin 17 duke mos publikuar konkursin në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”, deklaroi ajo.
Mjekiqi në konferencë përmendi se joserioziteti dhe pasiviteti i partisë që qeveris me vendin aktualisht karshi politikës së jashtme tregohet edhe te fakti se shumica e Ambasadave kanë mbetur pa staf dhe ambasadorë që 1 vit e gjysmë.
Ajo tha se krahas veprimeve të jashtëligjshme nga MPJD, ministria ka edhe implikime financiare.
Ajo e cilësoi si të gabuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 2 shtator, që i jep të drejtën diplomatit në mënyrë të jashtëligjshme nga ministrja Gërvalla, do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 20 mijë euro.
“Muaj më parë Ministria u detyrua të paguajë 13 mijë euro duke zgjedhur të mos publikojë shpenzimet e diplomatit”, u shpreh ajo, duke e cilësuar si humbje për buxhetin vendor.
Për fund, nënkryetarja e LDK-së theksoi se partia e saj është në favor të reformave, duke shtuar që kjo reformë të bëhet konform ligjeve.
Gjithashtu, Mjekiqi bëri thirrje që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të punojë për të përfillur ligjin dhe planet e qeverisë, për të prezantuar më mirë Kosovën në vendet ndërkombëtare dhe për të anëtarësuar Kosovën në organizatat ndërkombëtare, sepse vetëm kështu mund të forcohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës.
Protestojnë sindikalistët e MPJD-së: Në këtë ministri është instaluar frika e shantazhi
Këshilli i pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me anë të një Vendimi ditë më parë ka detyruar MPJD-në të anulojë konkursin për 32 zyrtarë pasi i njëjti nuk ishte në harmoni me ligjet në fuqi.