Dr. Muhammad Ghuneim, 28 vjeç, është një mjek i urgjencës në kompleksin mjekësor Al-Shifa, spitali më i madh në Rripin e Gazës. Ai ka thënë se si pothuajse i gjithë stafi atje nuk ka mundur të largohet që nga fillimi i bombardimeve një javë më parë.
“I gjithë stafi duhet të shkojë në shtëpi për të parë familjet e tyre, por ata nuk munden për shkak të numrit të njerëzve që vijnë që kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë ai.
Mjeku ka thënë se rreth 60% e viktimave që vijnë në spital janë gra, fëmijë dhe të moshuar, derisa ka shtuar se spitalit po i mbarojnë furnizimet mjekësore, ndërsa sot gjeneratorët pritet të mbarojnë karburantin.
“Kjo do të thotë pa operacione, pa oksigjen për pacientët. Ndihemi kaq të pafuqishëm, sikur nuk mund të bëjmë asgjë”, ka shtuar ai.
Dr. Ghuneim, i cili ka studiuar mjekësi në Aberdeen, Skoci, por përndryshe ka jetuar në Gaza gjithë jetën e tij, është shprehur se nuk ka interes të largohet, raporton BBC, përcjellë Dukagjini.
“Ne nuk kemi nevojë për një rrugë për të lënë Gazën. Ne kemi nevojë vetëm për një rrugë humanitare për të mbështetur Gazën me furnizime mjekësore dhe ndihma humanitare”, ka shtuar tutje ai.
Ai u ka bërë thirrje “çdo njeriu të vetëm në botë” të protestojë në rrugë dhe t’i kërkojnë qeverisë së tyre të ndihmojë në ndalimin e këtij agresioni.
Më herët raportuam se sipas autoriteteve palestineze, numri i njerëzve të vrarë në Gaza është rritur mbi 2 mijë e 300.
Lexo dhe: Shkon në 2 mijë e 329 numri i të vrarëve në Gaza
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, 2 mijë e 329 palestinezë janë vrarë dhe 9 mijë e 714 tjerë janë plagosur.