Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin në Leposaviq, ku është gjetur një mjet i pashpërthyer nën një veturë.
Serbi i cili të martën raportoi në polici se nën veturën e tij në Leposaviq ka gjetur eksploziv, punon në institucionet publike të Kosovës. Ai dyshon se vepra ndaj tij është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi.
Sipas raportit policor të Kosovës, në vendin e ngjarjes në Tvërgjan të Leposaviqit të martën gjatë ditës është deaktivizuar eksplozivi.
Rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Ankuesi mashkull serb kosovar ka raportuar se në veturën e tij ka vërejtur diçka të dyshimtë që mund të jetë eksploziv. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, si dhe njësia për deminim e PK-së, e cila ka bërë deaktivizimin e eksplozivit. Nga vendi i ngjarjes janë tërhequr: një paketim eksploziv plastik PENT (prodhim serb), një detonator elektrik, një bateri 9 volt, 6 magnete dhe një tel përçues. Ankuesi deklaron se nuk ka problem me askënd, mirëpo ai dyshon se vendosja e eksplozivit është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi, pasi ai punon në institucionet e Republikës së Kosovës. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh.