Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.
Sipas MKRS-së, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka pranuar informacion për punime në këtë zonë, e cila gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
Pas verifikimeve nga QRTK Prishtina dhe IKMM, është konstatuar se Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë e saj përkatëse nuk kanë kërkuar leje për kryerjen e këtyre punimeve, siç kërkohet me ligj.
Më 12 mars 2025, Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, së bashku me inspektorët përkatës, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës dhe institucioneve të trashëgimisë kulturore për të diskutuar situatën.
Pas këtij takimi, në prani të drejtorit për transformim të Komunës së Prishtinës, Gëzim Kastrati, janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve.
Kastrati ka nënshkruar procesverbalin për ndalim të punimeve dhe është zotuar se do të ndjekin procedurat për marrjen e miratimeve të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
MKRS ka theksuar se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore dhe institucionet përkatëse do të mbajnë publikun të informuar mbi veprimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje.