Kampionati i 22-të botëror i futbollit ka hyrë në fazën përfundimtare. Deri në fund kanë mbetur edhe katër ndeshje. Sonte luhet gjysmëfinalja e parë ndërmjet Kroacisë dhe Argjentinës, e cila zhvillohet në orën 20:00, në stadiumin “Lusail Iconic”.
Opinioni i futbollit do t’i përqendrojë sytë te liderët e dy kombëtareve, veteranët Luka Modriç dhe Lionel Messi.
Modric ka thënë se Messi është lojtar i madh dhe ka theksuar vështirësitë për ta ndaluar atë.
“Unë po përgatitem të luaj një gjysmëfinale tjetër kundër një ekipi të madh, kjo është ajo që dua, jo vetëm kundër një lojtari. Sigurisht, Leo është shumë i madh, ai është lojtari i tyre më i mirë dhe ne do të kemi shumë vështirësi për të ndaluar atë, por ne jemi gati dhe do të japim gjithçka. Shpresoj të mjaftojë për të arritur në finale”, tha Modric, në një intervistë për televizionin publik spanjoll.
Ndryshe, kroatët e Modriç do të tentojnë të përsërisin rezultatin e Botërorit të fundit në Rusi, kur luajtën në finale. Katër vite më parë, në fazën e grupeve, ata mundën argjentinasit 3:0.
Nga ana tjetër, Messi është në misionin e tij jetësor për ta fituar Botërorin e tij të parë dhe për t’u pensionuar nga kombëtarja.
Fituesi i kësaj ndeshjeje, në finale do të luajë me fituesin e duelit mes kampionit aktual Francës dhe sensacionit të turneut Marokut.
Kroacia dhe Argjentina kanë luajtur pesë herë deri më tani. Duelin e parë e kishin në vitin 1994 në një ndeshje miqësore që përfundoi pa gola. Më pas, në Kupën e Botës në Francë në vitin 1998, Argjentina fitoi falë një goli të Maurizio Pineda.
Pasuan dy ndeshje miqësore – në vitin 2006, në debutimin e Luka Modriç, Kroacia fitoi 3:2. Tetë vjet më vonë në Angli, Argjentina arriti një tjetër fitore 2:1. Takimi i fundit ishte në Kupën e Botës në Rusi. Kroacia fitoi 3:0 në fazën e grupeve me golat e Rebic, Modric dhe Rakitic.
Formacionet zyrtare të ndeshjes së sotme
Argjentina XI: Martinez, Molina, Romero, Otamendi, Tagliafico, Paredes, Enzo Fernandez, De Paul, Mac Allister, Messi, Alvarez.
Kroacia: Livakovic, Perisic, Lovren, Kovacic, Kramaric, Modric, Brozovic, Pasalic, Sosa, Gvardiol dhe Juranovic.