Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka bërë thirrje që të protestohet kundër Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë “protesta ndaj Qeverisë së Kosovës sepse kundër Asociacionit”.
Në ditën edhe kur po mbahet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Molliqaj ka thënë se marrëveshja që pritet të nënshkruhet në Bruksel “është pa njohje dhe me Asociacion në qendër, teksa ka shtuar se “aty është orari dhe mënyra e zbatimit”.
“Askush nuk ka mandat për Asociacionin. Rezistenca ishte shoqërore. Nuk jemi angazhuar për t’i ndërruar fytyrat që e zbatojnë Asociacionin. Nese ka ndodhur që pushteti është tjetërsuar aq pakthyeshëm, atëherë zgjedhje ose referendum. Përndryshe, protesta në rrugë. Kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit”, ka shkruar Molliqaj.
“Ju që mbushët sheshet me protesta dhe bllokuat Asociacionin, Ju që organizuat mijëra tubime kundër Asociacionit; Ju që shkelët me këmbë çdo pëllëmbë të Kosovës për t’i mbledhur 200 mijë nënshkrime, ju 200 mijë qytetarë që me vetëdije e vullnet firmosët kundër ndarjes etnike, ju që denjuat burgun dhe sollët protestën brenda Kuvendit”, ka vijuar ai.
Ndryshe, sot gjatë ditës, PSD)ka mbajtur aksion simbolik ku aktivistët e PSD-së, në objektin e Qeverisë kanë vendosur një baner ku shkruan “tension për Asociacion”, teksa në fotografi shihen kryeministri Kurti e presidenti Vuçiq përballë njëri-tjetrit me doreza boksi, ndërsa në fund të tavolinës shihen duke i shtrënguar duart.