Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se paga është i vetmi mjet i përdorur pas mosarritjes së përçarjes së grevës dhe pamjaftueshmërisë së denigrimit dhe fushatave sistematike kundër mësimdhënësve.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka shkruar se presioni me paga ka kaluar limitet dhe se i njëjti përgjatë kontekstit të votimit të mësimdhënësve për çështjen e grevës, paraqet ndërhyrje në procesin e brendshëm të sindikatës.
“Meqë as nuk kanë mundur t’i nënshtrojnë, as nuk kanë arritur t’i përçajnë, aq më pak t’i kontrollojnë, mjeti i vetëm që kanë në dorë është laku nën fyt, me punën e pagave. Sikur nuk u mjaftoi denigrimi dhe fushata sistematike kundër mësimdhënësve. Presioni me paga i ka kaluar limitet. Sidomos tani, në kontekstin e votimit të mësimdhënësve për çështjen e grevës, një presion i tillë është ndërhyrje në procesin e brendshëm të sindikatës”, ka shkruar Molliqaj.
Ndër të tjera, ai e ka kategorizuar këtë sikurse një shfaqje të një karakteri ideologjik të partisë në pushtet, duke thënë se ata që kërkojnë qetësi e fitore në emër të popullit e në kurriz të punëtorëve, nuk do ta gjejnë atë.
Greva në arsim është prezente që nga 25 gushti. Grevistët kanë kërkuar shumën prej 100 eurosh deri në miratimin e Ligjit të Pagave, duke mos pranuar ndihmën me shumën prej 50 eurosh që kishte prezantuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati.