Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga takimi në Ohër, i ka sjellë vendit marrëveshje pa zgjidhje.
Këtë ai e ka quajtur rrugë të gabuar.
“Ne nuk i kemi thënë kryeministrit mos bëj kompromis, nuk kemi thënë se ripërcaktimi i kufijve nuk është kompromis, është kompromis. Ajo çka na ka sjellë kryeministri prej pozicionit që unë nuk lëshoj pe kurrgjë dhe mbështetësit e tij kanë thënë ky nuk lëshon pe për kurrgjë, na ka sjellë marrëveshje pa zgjidhje. Është rrugë e gabuar. Nuk ka marrëveshje që nuk të sjellë të këqija, puna është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me bindjet që i ke”, ka thënë Molliqaj në “Debat Plus”, në RTV Dukagjini.
Molliqaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e larguar njohjen nga Serbia dhe duke e vendosur Asociacionin në qendër, do fillojë ta zbatojë atë.
Ai ka thënë se në protestën e organizuar nga PSD-ja janë përfshirë edhe kundërshtimi i marrëveshjes edhe ajo që ai e quan papërgjegjësi e kryeministrit kundrejt premtimeve të tij.