Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se në vend të reflektimit po vazhdon luftën kundër grevës.
Molliqaj e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për tentim të instrumentalizimit të fëmijëve
“Në vend të reflektimit, qeveria po i ndërron e vazhdon mjetet në luftën ndaj grevës. Mjeti i radhës, pas kërcënimeve dhe tentativës për ndaljen e pagave, është instrumentalizimi i fëmijëve”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin social Facebook.
“Politizimi i çështjes së grevës është i ulët në vete, por instrumentalizimi i fëmijëve për çështje politike dhe nevojës për dominim është nivel i papranueshëm në çfarëdo lufte dhe sidomos në luftë të padrejtë, siç është kjo kundër punëtorëve dhe kërkesës së tyre për përkrahje ndaj inflacionit”, ka vijuar ai.
Kryetari i PSD-së, iu ka bërë thirrje prindërve të fëmijëve të mos e lejojnë instrumentalizimin e fëmijëve të tyre, duke thënë se qeveria po i përdor ata për interesat e tyre.
Ndërsa, Kurti, gjatë ditës së enjte, ka kërkuar nga mësimdhënësit që ta ndalojnë grevën dhe t’i kthehen procesit mësimor, pasi sipas tij, vendi nuk mund të zhvillohet pa arsimim.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) në Kosovë, Rrahman Jasharaj, kishte deklaruar se nuk do të përfundojë greva deri në plotësimin e kërkesave e tyre nga Qeveria e Kosovës.