Molliqaj për dënimin e Mustafës: Kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por dënimin e UÇK-së

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale, ka thënë se kjo është një gjykatë, e cila, nuk e ndjek drejtësinë, por e dënon dhe e përndjek Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë çlirimtare

Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, në protestën e thirrur nga kjo parti të shtunën e 24 dhjetorit, ka thënë se pasi Gjykata Speciale thotë se duhet të dënohet ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, edhe nëse viktima është vrarë nga plumba të ushtrisë serbe, kjo pritet vetëm nga një gjykatë, e cila, nuk e ka për qëllim drejtësinë, por dënimin e UÇK-së.

“Shikojeni aktgjykimin e kësaj Gjykate kur thotë që duhet të dënohet komandant Cali edhe nëse viktima është vrarë nga plumbat e ushtrisë serbe, kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por e ka qëllim dënimin e UÇK-së”, ka thënë Molliqaj, gjatë protestës.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se Procesi i Speciales ka treguar se liria mund të fitohet, por edhe duhet të mbrohet.

“Procesi i Speciales e ka nxjerrë edhe një mësim, liria mund të fitohet një herë, por duhet të mbrohet çdo ditë e çdoherë, sepse në momentin që nuk mbrohet, ajo edhe shtrembërohet edhe rrezikohet”, ka theksuar Molliqaj, duke shtuar se çlirimi sot në Kosovë ka kosto dhe se gjykimi i ushtarëve në Hagë tregon se liria është sakrificë.

Ndërsa, dënimin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, e ka quajtur arbitrar apo absurd.

“Procesi special është provë e gjallë. Edhe 23 vite pas lirimit të Kosovës, çlirimi po ka kosto. Ne që nuk kemi pasur mundësinë ta ndjejmë peshën e lirisë, sot mund ta mësojmë atë. Ju lutemi mësojeni koston për liri, shikojeni gjykimin e ushtarëve në Hagë se kjo tregon se liria është sakrificë, shikojeni dënimin arbitrar/absurd të komandant Calit, Salih Mustafës”, ka thënë Molliqaj.

Ndërkaq, pas fjalëve për Gjykatën Speciale, Molliqaj brohoriste së bashku me protestuesit duke thënë, “Procesi i Speciales, UÇK, UÇK”.

Sa i përket votuesve të gjykatës apo kundërshtuesve, Molliqaj ka thënë se ata që e kanë votuar e kanë të drejtën ta kundërshtojnë këtë gjykatë, pasi me votën e tyre kanë krijuar një gjykatë, e cila, nuk ka për qëllim drejtësinë, por përndjekjen e UÇK-së si organizatë çlirimtare.

“Nuk jemi këtu as t’i dekorojmë ata që e kanë kundërshtuar gjykatën, as që e kanë votuar. Ata që e kanë kundështuar, sot mund të luftojnë për këtë, ata që e kanë votuar e kanë të drejtën legjitime, historike e demokratike sot ta kundërshtojnë edhe më shumë, sepse kjo gjykatë me votën e tyre është krijuar, një monstrum juridik që nuk e ka për qëllim drejtësinë, por përndjekjen e UÇK-së si organizatë çlirimtare“, ka përfunduar Molliqaj.

 

 

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika