Kryetari i Partisë SocialDemokrate të Kosovës(PSD), Dardan Molliqaj ka thënë se Gjykata Speciale është treguar e padrejtë që nga fillimi i saj dhe se e njëjta, ka shkelur kriterin e barazisë mes palëve dhe të drejtat e njeriut.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka bërë të ditur se ka takuar udhëheqësin e Shoqatës së Veteranëve të Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë të cilët sipas Molliqaj, kanë ofruar mbështetje për protestën e së mërkurës në Gjilan.
“Gjykata Speciale është e padrejtë qysh në fillim. Ajo e ka shkelur kriterin e barazisë mes palëve dhe të drejtat e njeriut. Vizitat për matje të opinionit publik e rregullim të imazhit të saj me takime të mbyllura janë të padëshirueshme. Prandaj, të mërkurën, nga ora 10:00, Hotel “Astoria”, Gjilan ku do të zhvillohet takimi i znj.Trendafilova, protestojmë kundër kësaj vizite”, ka shkruar Molliqaj.
Më 14 shtator të këtij viti, Kryetari i Partisë SocialDemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj ka mbajtur një konferencë për media në kuadër të vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë.
Molliqaj ka thënë se nuk ka dëgjuar më parë se gjykatat të mbajnë takime të mbyllura dhe që gazetarëve t’iu imponohet të bëjnë këkesë paraprakisht për pjesëmarrje. Ndërsa, të tjerëve t’iu thuhet se e kanë linkun e transmetimit live të takimit.
Sa i përket vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova Molliqaj ka thënë se kur i kanë dërguar ftesën për vizitë në Kosovë për herë të parë, Trendafilova ka refuzuar dhe si pasojë kanë marrë përgjigje negative.
Sipas Dardan Molliqaj,“Gjykata Speciale merr vendime politike”.
Molliqaj paralajmron protestë ndaj vizitës së Trendafilovës, kërkon që të bashkohen veteranët