Është arrestuar një serb, i cili dyshohet se e kishte sulmuar KFOR-in gjatë protestave të dhunshme në veri të Kosovës.
Tashmë kanë dalë edhe pamjet ku njësia speciale e Kosovës e arreston të dyshuarin me inicialet N.O, i cili njihet me dy nofka “Nemac” dhe “Rusi”.
Arrestimi i tij, sipas policisë, është bërë pasi janë siguruar dëshmitë e mjaftueshme në përfshirje në sulm ndaj KFOR-it më datën 29 maj të këtij viti.
Ndryshe, më 19 qershor, Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin, Urosh Vukasinoviq për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës po ashtu, e ka arrestuar të dyshuarin, Dalibor Pasiq për sulmet ndaj gazetarëve javëve të fundit në 4 komunat veriore.
“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic. Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës” – ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar, Nemanja Vllaskoviq për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq.
Ndërsa Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua më 13 qershor nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.