Mosdekretimi i kryeprokurorit, Kryeziu: Presidentja është dashur të nxjerrë një dekret refuzues

KPK-ja së shpejti do të mbajë një takim për hapat që duhet të ndiqen pas mosdekretimit të Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa njohësit e fushës thonë se presidentja ka për obligim që të sigurojë se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit reflekton parimet mbi të cilat funksionon sistemi prokurorial

“Presidentja është dashur të nxjerrë një dekret refuzues për Blerim Isufajn dhe në bazë të këtij vendimi të kishte bërë arsyetimin specifik”.

Kështu ka deklaruar ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në lidhje me njoftimin e fundit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e kryeprokurorit të Shtetit.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Kryeziu ka thënë se nëse dikush nga subjektet bën padi në Kushtetuese, atëherë ka gjasa të fitojë rastin.

“Nëse dikush nga këto subjekte bën padi kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, ka gjasa të fitojë rastin”, ka thënë Kryeziu.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu

Se cilat janë procedurat e zakonshme që ndiqen në rast të mosdekretimit të kryeprokurorit të shtetit, Kryeziu ka thënë se procedura përsëritet nga fillimi me hapjen e konkursit, por që parimisht nuk kanë të drejtë të konkurrojnë ata që kanë konkurruar në herën e parë.

“Procedura përsëritet nga fillimi me hapjen e konkursit, por në parim nuk kanë të drejtë të konkurrojnë për prokuror shteti ata që kanë konkurruar në herën e parë”, ka theksuar ai.

Ndërsa në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në një përgjigje për Portalin Dukagjini kanë thënë se do të mbajnë edhe një takim tjetër, për të vendosur lidhur me hapat që do të ndiqen pas njoftimit të presidentes për mosdekretimin e kryeprokurorit të Shtetit.

Më 17 tetor, KPK-ja ka thënë se arsyetimet e Osmanit për mosdekretim ishin “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze”, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)

“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, u tha në reagimin e KPK-së.

Në lidhje me mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit, Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, (IKD) vlerëson se presidentja nuk mund të refuzojë një kandidat në mënyrë arbitrare, mirëpo, siç thotë ai, në kuptim të rolit që ka, presidentja duhet të sigurohet që vendimet e saja, mbrojnë parimet e sistemit prokurorial.

“Presidentja nuk mund të refuzojë një kandidat në mënyrë arbitrare. Mirëpo, në kuptim të rolit që ka, presidentja duhet të sigurohet që vendimet e saja, mbrojnë parimet e sistemit prokurorial. Në kuptim të mbrojtjes së këtyre parimeve, duhet theksuar se pozita e kryeprokurorit të Shtetit është pozita kyçe brenda sistemit prokurorial. Fillimisht, kryeprokurori i Shtetit është kreu i institucionit të Prokurorit të Shtetit. Pozita që mban dhe kompetencat që ka, e bëjnë atë faktor determinues në funksionimin e sistemit prokurorial”, ka thënë Shala.

Gzim Shala nga IKD

Ai ka thënë se do të ishte moszbatim i rolit të presidentes, nëse symbyllurazi do të dekretonte çdo propozim të KPK-së e nuk do të ushtronte rolin e saj kushtetues.

“Në këtë situatë, presidentja ka për obligim që të sigurojë se procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit reflekton parimet mbi të cilat funksionon sistemi prokurorial. Do të ishte mos zbatim i rolit të presidentes nëse symbyllurazi do të dekretonte çdo propozim të KPK e nuk do të ushtronte rolin e saj kushtetues”, ka vijuar ai.

Ai ka theksuar se IKD-ja dhe organizatat e tjera monitoruese të procesit kishin gjetur se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i parregullt, pasi “dizajnimi joadekuat i procesit, problemet në vlerësimin e integritetit, qasja selektive kishin qenë disa nga problemet që këtë proces nuk e bëjnë një proces të rregullt, nga i cili proces mund të dalë emri i kryeprokurorit të Shtetit. Reagime lidhur me këtë proces kishin dhënë edhe partnerët ndërkombëtarë”.

Në këtë situatë, përballë faktit se ky proces nuk pati mundësi në asnjë rast të vlerësohet në meritat e tij nga Gjyqësori i rregullt apo Gjykata Kushtetuese, siç thotë ai, presidentja e Kosovës ka pasur për obligim që të veprojë.

Ai thekson se KPK-ja duhet të shpallë konkursin e ri dhe emri për kryeprokurorin e ri të shtetit të dalë nga një proces që nuk është i “kontekstuar”.

“Në këtë situatë, pas njoftimit të Presidentes, KPK-ja duhet të shpallë konkursin e ri për kryeprokuror të Shtetit dhe të zhvillojë një proces meritor dhe transparent, nga i cili proces del emri i kryeprokurorit të ri të Shtetit. Sa i përket funksionimit të prokurorit të Shtetit me ushtrues detyre, ushtruesi i detyrës ka të gjitha kompetencat të cilat i ka kryeprokurori i Shtetit. Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme që prokurori i Shtetit të ketë një kryeprokuror të emëruar me mandat të rregullt. Mirëpo, përkundër kësaj, më e rëndësishme është që emri për kryeprokurorin e ri të Shtetit të dalë nga një proces që nuk është i kontestuar”, ka theksuar ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 17 tetor njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.

Gjatë një konference për media, Osmani renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.

Presidentja ka thënë se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Osmani ka thënë se për vlerësimin që ka bërë Presidenca për çështjen e kryeprokurorit janë marrë parasysh vlerësimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe institucionet ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në garë për postin e kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika