(Mos)dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, KPK kërkon trajtim urgjent të procesit – Osmani në pritje të Kushtetueses

Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka mbetur ende në tavolinë propozimi i Këshillit Prokurorial për ta dekretuar Blerim Isufajn, kryeprokuror të Shtetit. Nga Presidenca thonë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kurse nga KPK-ja kërkojnë trajtim urgjent të procesit

Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit që kur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të Shtetit, vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më tetë prill të vitit të kaluar, Blerim Isufaj, që drejton Prokurorinë Speciale të Kosovës, u zgjodh nga Këshilli Prokurorial, për t’u bërë kryeprokuror i Shtetit. Por, komisioni i ankesave gjeti gabime në mënyrën se si u shënuan kandidatët dhe presidentja Osmani ende nuk e ka nënshkruar atë.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Derisa nga Zyra e Presidentes thonë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga ana tjetër nga KPK-ja presin që procesi i dekretimit të kryeprokurorit të shtetit të trajtohet me urgjencë.

“Presidentja Osmani është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për Portalin Dukagjini.

Presidenca e Kosovës

Për sistemin prokurorial, dekretimi i kryeprokurorit të Shtetit mbetet thelbësor.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga Zyra e Presidentes që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë që të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend, pasi që shtetit dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen e KPK-së për Portalin Dukagjini.

KPK

Në anën tjetër, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se sistemi gjyqësor i Kosovës do të duhej t’i trajtonte me prioritet rastet kur kanë të bëjnë me pozita të rëndësishme në institucione.

“Kushtetuesja do duhej që në rastet kur kemi të bëjmë me emërimet të pozitave të larta siç është kryeprokurori i Shtetit, apo kryetarit të Gjykatës Supreme atëherë mos të lihet ky proces që të shkojë në gjykata të rregullta juridike, sepse po marrin kohë të gjatë”, ka thënë Ehat Miftaraj për RTV Dukagjini.

Ehat Miftari-IKD

Ndërkaq, nga Lëvizja Fol, thonë se zvarritja e këtij procesi i bën dëm sistemit prokurorial.

“Definitivisht konsideroj që nuk ka ndonjë arsye shumë të fortë për zvarritjen, e këtij procesi dhe siç e kemi thënë edhe në të kaluarën që presidentja duhet të japë një epilog këtij procesi, qoftë me kthimin në pikën zero, ose me aprovimin e këtij kandidati”, ka thënë Mexhide Demolli për RTV Dukagjini.

Mexhide Demolli, FOL

Ndryshe nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit.

Gjykata Kushtetuese më katër korrik i kishte shpallur të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Në njoftimin dërguar mediave, Kushtetuesja kishte sqaruar se “kërkesat përkatëse i shpall të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kandidatët që u ankuan në gjykatën që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se “vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Ndërkaq, ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të kryeprokurorit të Shtetit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika