Këshilli i Prindërve të Kosovës është deklaruar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila nuk do t’i procesojë pagat për punëtorët e sektorit publik të cilët kanë qenë pjesë e grevës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka njoftuar se do të solidarizohen me mësimdhënësit të cilëve nuk do t’u bëhet pagesa për muajin shtator.
Ata kanë thënë se do të organizohen në secilën shkollë për të mbledhur fonde solidariteti në mënyrë që t’i ndihmojnë financiarisht mësimdhënësit.
“Solidaritet! Nëse mësimdhënësve nuk u jepen pagat e muajit shtator, ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit. Revoltën e kishim për të hapur çerdhet e shkollat, por asnjëherë për t’i poshtëruar mësimdhënësit”, ka thënë Këshilli i Prindërve.
Kundër këtij vendimi kanë dalë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e Partisë Guxo, Jeta Statovci, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se nuk mund të pajtohet me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit u janë kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator”, ka shkruar ajo.
Pos deputetes së Partisë Guxo, Jeta Statovci, edhe deputeti i së njëjtës parti, Haxhi Avdyli, ka dalë kundër vendimit për mosekzekutimin e pagave ndaj mësimdhënësve për muajin shtator.
Avdyli në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Qeveria duhet t’i procesojë pagat për punëtorët e sektorit publik të cilët kanë qenë pjesë e grevës.
“Edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Guxo, pjesë e grupit parlamentar të VV- së, pajtohem me konstatimin e koleges Jeta Statovci që duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve grevistë. Greva shihet që ka pasur prapavijë politike, ku udhëheqësit e SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. Por, përkundër kësaj, prapë mendoj që pagat duhet të paguhen”, shkroi ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte bërë të ditur për Rtv Dukagjinin se pagat për punëtorët e sektorit publik për muajin shtator janë ekzekutuar vetëm për ata që nuk kanë qenë pjesë e grevës.
Kryeziu ka thënë se çështja e pagave të grevistëve përcaktohet me ligjin për greva.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë ai.
Diferencime sa i përket procesimit të pagave ka pasur edhe në sektorët e tjerë. Shërbyesve civilë u ka dalë paga edhe pse ishin pjesë e grevës, kurse mësimdhënësve jo.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur i indinjuar me këtë vendim të qeverisë, të cilin e ka quajtur diskriminues e hakmarrës.
“Fatkeqësisht, ende nuk janë procesuar në sistemin arsimor, teksa e keqja shtohet se janë procesuar për shërbyesit civilë që ishin në grevë dhe kjo është një segregacion, nuk ka çfarë të dyshohet për tjetër, përveç ndonjë qëllim që vetëm qeveria e di”, ka thënë ai.
Tutje, Jasharaj ka paralajmëruar “situatë të acaruar”, nëse nuk procesohen pagat deri më 5 tetor të këtij viti.
“Uroj që deri në kufirin ligjor më 5 tetor, Qeveria të mos e bëjë edhe këtë goditje, por t’i procesojë pagat, përndryshe do të kemi situatë të acaruar. Edhe mediat e kanë parë se edhe kur u bë pezullimi i grevës, votat pro dhe kundër ishin kogja të përafërta. Nuk është e drejtë të shkelen ligjet dhe të shkelet humaniteti. Nëse bëhet kjo goditje, atëherë s’kemi si të mos besojmë se Qeveria i do grevat dhe përplasjet”, ka thënë ai.
Afati ligjor për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik është më së largu data pesë tetor e këtij viti.