Në një artikull të titulluar “Serbia po sulmohet nga të gjitha anët – edhe Perëndimi edhe Rusia janë të pakënaqur me Beogradin”, gazeta ruse Kommersant vlerëson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjendet në mes të dy poleve diplomatike.
Sipas mediumit rus, Vuçiq do anoj drejt Perëndimit duke u larguar nga Rusia.
Presioni ndaj Beogradit drejtohet kryesisht nga Gjermania, e cila konsiderohet si një partner kyç i Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).
Nga ana tjetër presidenti serb dit më parë kishte thënë se koordinimi i politikës së jashtme serbe me BE-në, veçanërisht ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet, është vendimtare.
Sipas mediumit rus Kommersant, presioni i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj Serbisë do të rritej pas zgjedhjeve dhe se kjo ishte gjë e pritshme edhe për vet Beogradin zyrtarë por edhe për aleaten e saj Rusinë.
“Që nga fillimi i krizës aktuale në Ukrainë, Perëndimi ka vlerësuar se është anormale që Serbia të mbetet e vetmja në mesin e anëtarëve dhe kandidatëve për në BE që nuk i është bashkuar sanksioneve’’.
‘’Beogradi mori një vonesë të heshtur vetëm deri në zgjedhjet e 3 prillit. Për më tepër, Perëndimi nuk ishte i kënaqur me faktin se Serbia ka mbështetur tre herë rezoluta anti-ruse në OKB në periudhën e kaluar, duke përfshirë edhe atë të fundit që pezulloi anëtarësimin e Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në shkrimin e Kommersant.
Pakënaqësia e Moskës vije menjëherë pas animit të Serbisë nga ndikimi i Perëndimit, andaj ky është edhe një “momentum i ri’’ dhe jo i këndshëm për Vuçiqin.
Gazeta i referohet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharov, të ketë thënë se Moska nuk i kupton përfaqësuesit e vendeve që përpiqen për një politikë të pavarur dhe të ekuilibruar, të cilat thonë se janë nën presion të paparë nga vendet perëndimore dhe për këtë arsye bëjnë kompromis.
“Ne nuk e kuptojmë këtë. Ne e dimë se ka presion. Por, nëse flasim për ata që pretendojnë se janë miqtë tanë, është e pamundur të kuptohet”, citon Kommersant Zaharovën, përcjell mediumi serb Danas.
Por, Vuçiq ka mundësi që së shpejti të shpërfaq “Qëndrim miqësor ndaj Rusisë” dhe mund ta ‘’befasoj’’ edhe Perëndimin. Ai tani mund të përfshijë më shumë politikanë në qeverinë serbe që janë të orientuar drejt zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër të mos i bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.