Gjatë diskutimeve për miratimin e paketës së zgjerimit për këtë vit dhe raporteve të progresit, brenda Komisionit Evropian (KE) është shfaqur mospajtim i thellë rreth idesë që KE-ja të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën.
Në takimet e shefave të kabineteve të komisionarëve të hënën dhe të martën nuk është arritur pajtim, prandaj kjo çështje është lënë për t’u vendosur personalisht nga komisionarët në takimin e kolegjit, të mërkurën.
Komisionarët nga Kroacia, Sllovenia, Austria, Italia dhe disa vende të tjera kanë insistuar se Komisioni duhet të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën, sepse me këtë hap do të ndihmohej procesi i reformave dhe stabiliteti i këtij vendi. Posaçërisht, ky insistim është i lidhur me faktin se Komisioni propozon nisjen e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat në procesin e zgjerimit kanë hyrë 20 vjet pas Bosnjë e Hercegovinës.
Mirëpo, ka pasur shumë kundërshtime brenda Komisionit, duke argumentuar se vetë raporti i progresit për Bosnje e Hercegovinën konstaton se ky vend ka ngecur shumë në procesin e reformave dhe nuk i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian, kur kishte rekomanduar statusin e vendit kandidat për Bosnje e Hercegovinën.
Burime brenda Komisionit Evropian thonë se si kompromis, mund të jetë një gjuhë pozitive në raport, përmes së cilës do të dërgohet sinjali se Komisioni do të mund të rekomandojë nisjen e negociatave kur Bosnja e Hercegovina të dëshmojë se ka bërë përparim të duhur në përmbushjen e kushteve.
Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën rekomandime për nisjen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa vendimin e marrin liderët e shteteve anëtare në Këshillin Evropian.
Bosnjë e Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit vitin e kaluar, kur ky status u është dhënë edhe Ukrainës dhe Moldavisë./REL