Vendimi i Kuvendit komunal të Skenderajt, që kjo rrugicë të emërtohet ‘Bislim Imeri’, nuk po u pëlqen familjes së dëshmorit të UÇK-së Muhamet Musliut, tabela me emrin e të cilit është e vendosur këtu.
Ani se edhe emri aktual është i një ish-luftëtari të UÇK-së, familjarë të dëshmorit Musliu thonë se nuk do të lejojnë që kjo rrugicë, e cila është degëzim i rrugës që tash e disa vite mban emrin e familjarit të tyre, të marr emër tjetër.
Fitim Musliu, vëllai i dëshmorit Muhamet Musliu ka thënë se “Qysh në vitin 2015 është vënë emri i vllaut, dëshmorit kësaj rruge me pëlqimin e gjithë fshatit, kurse tash ka aplikuar dikush me ju ndrru emri, me ju shkurtu një pjesë prej asaj tabele, deri këtu, ne si familje nuk pajtohemi me këtë sepse e ka merituar emrin, e ka vnu komuna edhe pse me hek kur ka rrugë boll, neve komuna na ka shti si familje në një problem shumë të thellë”.
Por, djali i Bislim Imerit, i cili ishte pjesëtar i UÇK-së, e i cili ka vdekur para dy vitesh, thotë se kjo rrugë ligjërisht nuk ka emër, dhe për këtë arsye ka bërë kërkesë në institucionet lokale, që emri i babait të tij të vendoset këtu.
Xhevat Imeri, djali i luftëtarit të UÇK-së, Bislim Imerit ka thënë se “Ka dhënë shpifje, po ma hekun emrin e vllaut, emrin e vllaut e ka prej Durjanit, deri ne Ozlim nalt, këtu thirret prej Ozlimit deri në Jashanicë, nuk ka emer as të vllaut tij, as kërkujt komuna e ka qit në asamble e ka votu, cka kanë bë ata e dinë… këtë tabel e ka qit ai të zezën në 2015, vetëm për me i drejtu njerezit”.
Megjithëse Imeri thotë se ka mbledhur rreth 70 nënshkrime të banorëve të këtij fshati, Lut Haliti bashkëluftëtar i Muhametit, thotë se kjo rrugë duhet të mbajë emrin e tij, e jo të emërtohet ndryshe.
Lut Haliti, bashkëluftëtar ka deklaruar se “Ka rrugë të tjera edhe na pajtohemi edhe Bislim Imerit, me ja vendos por ka rrugë boll, dhe besoj që edhe familja e tij pajtohet, ne gjithe jemi pajtu që Muhamet Musliu me kanë”.
Nga komuna e Skenderajt, në një përgjigje me shkrim kanë thënë se rruga me emrin Muhamet Musliu, vazhdon ta mbajë këtë emër, por rrugica e re e ndërtuar në këtë fshat, nuk ka pasur emërtim dhe nuk është e mundur që të ketë emër të njëjtë.
Sipas zyrtarëve të komunës, banorët e këtij fshati kanë bërë kërkesë që kjo rrugicë të emërtohet me emrin Bislim Imeri, dhe se sipas procedurave është miratuar në Kuvendin Komunal, së bashku edhe me emërtimin e 10 rrugëve të tjera.
“Në lidhje me interesimin tuaj, Komuna e Skenderajt ju njofton se nuk ka ndërruar emri i rrugës “Muhamet Musliu” në Vajnikë. Kjo rrugë vazhdon ta mbajë po këtë emër. E vërteta është se në këtë fshat është ndërtuar një rrugicë e re e cila lidhet me rrugën “Muhamet Musliu” e cila, ligjërisht, duhet të emërtohet me emër të ri dhe për këtë komuna e Skenderajt ka pranuar kërkesë nga banorë të fshatit që kjo pjesë të emërtohet. Rruga e re nuk mund të quhet me emrin që ka një rrugë e caktuar. Emërtimi i degëzimit është bazuar tek udhëzimi në fjalë, respektivisht neni 6, pikat 1.2.1.2 dhe 1.2.1.3. Pas kërkesës së palës, me numër të protokollit 01-015/010031872/21, për emërtimin e kësaj rruge, sipas procedurave ligjore, nga disa banorë të fshatit Vajnikë, Kuvendi Komunal ka marrë vendim për emërtimin e këtij degëzimi, që lidhet me rrugën “Muhamet Musliu”, dhe po në këtë mbledhje, përveç kësaj rruge janë emërtuar edhe 10 rrugë të tjera, në mesin e të cilave janë emërtuar rrugë me emra të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Komunës së Skenderajt për RTV Dukagjini.