Mospajtimet mes dy ministrive për pozitat e dy atasheve të mbrojtjes

Ilustrim

Ministrja e Punëve të jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci nuk u dakorduan për zgjedhjen e atashetë e ri të Mbrojtjes në dy ambasada të Kosovë, atë në Berlin dhe në Ankara.

Në mënyrë që t’i “vihet kapaku” kësaj pune u dashtë të përfshihet edhe pala e tretë, në këtë rast Zyra e Kryeministrit.

Kjo e fundit, pas interpretimit të Rregullores për Atashetë e Mbrojtjes, e hapi rrugën që t’u vazhdohet mandati dy atasheve aktual, raporton Kallxo.com.

Atasheu i Mbrojtjes është përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes/ Forcave të Sigurisë së Kosovës, me status dhe imunitet diplomatik, përgjegjës për aspektet e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale të mbrojtjes në misionet diplomatike të Kosovës.

Kallxo.com ka siguruar letrat zyrtare që kanë shkëmbyer dy ministrat mes vete, në të cilat shihet propozimi i ministrit Maqedonci që të akreditohen dhe emërohen dy atashetë, dhe arsyetimi i Gërvallës se “një akreditim i ri nuk është i nevojshëm për të njëjtat pozita në të njëjta vende, veçse mund të ketë vetëm vazhdim mandati”.

Nënkoloneli Besim Gashi dhe koloneli Bekim Zejnullahu mbajtën pozitat e atasheve deri më 16.07.2024.

Por, në mënyrë që pozitat mos të mbeteshin vakante dhe menjëherë të fillonte mandati i ri, propozimi i ministrit Maqedonci, në letrën e dërguar më 06.06.2024, ishte që këta dy kolonelë të riakreditoheshin dhe emëroheshin, që nga data që përfunduan mandatin, ngase sipas tij, ata kishin konkurruar për t’u rizgjedhur në këto pozita.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, procesi i akreditimit është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

MPJD-ja, emrin e propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, e dërgon për akreditim te shteti/organizata përkatëse. Pas pranimit të akreditimit nga shteti përkatës, MPJD-ja nxjerr vendimin për emërimin e Atashesë së Mbrojtjes.

Rreth dy javë më pas, më saktësisht më 21.05.2024, Gërvalla ia kishte kthyer letrën Maqedoncit, duke i thënë se dy kolonelët përfundojnë mandatin me datën e lartëshënuar, dhe se propozimet për akreditim dhe emërim konsiderohen vazhdim i mandateve të tyre aktuale, duke u thirrur në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Konventës së Vjenës për Çështje Diplomatike.

“Një akreditim i ri nuk është i nevojshëm për të njëjtat pozita në të njëjta vende, veçse mund të ketë vazhdim mandati”- shkruan në letrën e Gërvallës, përjashtim rastet kur ministri i Mbrojtjes në konsultim me Komandantin e Forcave dhe Sigurisë së Kosovës (KOMFSK) vendosin t’ia vazhdojnë mandatin më së shumti deri në 6 muaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha për KALLXO.com se në lidhje me emërimet për Gjermani dhe Turqi, propozimet e Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë refuzuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Diasporës, veçse, gjatë procesit është paraqitur nevoja për një diskutim në lidhje me interpretimin e Rregullores së Qeverisë 09/2022 për Atashetë e Mbrojtjes.

Si përfundim, Kryeziu tha se institucionet relevante janë pajtuar me interpretimin se Rregullorja, e lejon zgjatjen (vazhdimin) e mandatit edhe për gjashtë muaj, por jo më shumë se gjashtë muaj, dhe rrjedhimisht institucionet do të veprojnë sipas bazës ligjore në fuqi dhe praktikave të mira, duke i respektuar ato dhe duke u siguruar që nuk do të ketë vakum të përfaqësimit tonë.

“Kjo qasje siguron që çdo emërim të bëhet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me standardet e vendosura, që forcon besimin dhe integritetin e procesit të emërimeve”- tha Kryeziu.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MPJD, më 15.07.2024, por pavarësisht këmbënguljeve, edhe premtimeve nga ana a e tyre se do të përgjigjrn brenda ditës, të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Me Rregulloren në fuqi për Atashetë e Mbrojtjes nuk ka dispozitë që e ndalon riakreditimin si pasojë e rinkonkurrimit dhe rizgjedhjes. Veçse në rregulloren në fjalë, shkruan se mandati i Atashesë së Mbrojtjes është tre vite pa të drejtë vazhdimi, përjashtimisht me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, në raste të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ose emergjente por jo më shumë se deri në përfundimin e situatës.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes më 04.04.2024, ishin publikuar emrat e Gashit dhe Zejnullahut, si të përzgjedhur nga Bordi Përzgjedhës në konkursin e rregullt./Kallxo.com

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika