“Kush ka dashur ka ardhur, e kush s’ka mundur, nuk ka ardhur”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me mos paraqitjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen joformale.
Kështu ka thënë ai gjatë një konference për media, pas takimit që ai pati me liderët e rajonit dhe komisionerin evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, ku mungesë e madhe e rastit ishte Kosova.
Ndryshe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një postim në Facebook kishte sqaruar se kryeministri Kurti para një jave është ftuar nga kryeministri Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, kiishte shkruar Kryeziu.
Kryeministri Kurti po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar. Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.
Ndërkaq, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sikur ngjarja në Greqi të mos ishte konfirmuar më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të merrte pjesë në takimin joformal, i mbajtur në Tiranë.
Kështu është shprehur Zulfaj në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për “refuzimin”, e Kurtit ndaj ftesës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për takimin joformal me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në takimet e nivelit të lartë çfarë janë agjenda e kryeministrit do të duhej të kishte shumë më herët planifikim kurse Procesi i Berlinit apo kryesimi i Shqipërisë dihet që nga nëntori i vitit të kaluar, planifikimi i ngjarjeve sidomos të nivelit të lartë do të duhej të bëhej shumë më herët në mënyrë që të përgatitej edhe agjenda e kryeministrit. Nuk mendoj që ka inate në këtë drejtim kur është në pyetje agjenda shtetërore, por konfirmimi i një agjende të tillë në një proces të tillë do të duhej të bëhej shumë më herët”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se nuk ka të bëjë me hatërmbetje.