Gazetari Kreshnik Gashi ka vlerësuar se refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përbën një rrezik për sundimin e ligjit dhe sistemin juridik të vendit.
Sipas Gashit, vendimi i gjykatës për ta obliguar Kurtin të japë dëshminë e tij në zyrën e Prokurorisë ka ndryshuar juridikisht situatën, duke e bërë këtë çështje më serioze.
“Janë disa elemente që duhet konstatuar në ditën sotme dhe po ashtu me i lidh me emra të përveçëm në këtë situatë. Në ditën kur janë lëshuar urdhëresa për intervistimin e kryeministrit, kur është bërë debati se a duhet kryeministri me shku në zyre të prokurorisë ose me qenë në zyrën e tij. Kam qenë ithtar i saj që prokuroria duhet me shku kudo që është dëshmitari, për shkak se duhet me i përshtat nevojave të dëshmitarit. Mirëpo situata ka ndërruar pas vendimi të gjykatës, çështja është bërë serioze në momentin kur iu është nënshtruar një kontrolli ligjor. Dhe në momentin kur prokuroria e ka bind gjykatën që intervistimi duhet me ndodhë në zyrën e prokurorisë dhe jo në atë të kryeministrit, juridikisht situata ka ndryshuar. Dhe kemi një vendim ose urdhër prej gjykatësit që kryeministri me u zhvendos me zyrës së tij në zyrën e prokurorisë”, ka thënë Gashi në Debat Plus.
Gashi ka deklaruar se i njëjti gjyqtar që ka lëshuar urdhrin për Kurtin, Valon Kurtaj, ka nënshkruar edhe urdhër-arrestin ndërkombëtar për ekstradimin e Milan Radojçiqit.
“Në momentin kur kemi një mosbesim të kryeministrit tonë ndaj urdhrave të gjyqtari Kurtaj. Çka na ndodh neve, ne momentin kur diku në Evropë arrestohet një pjesëtar i Radojçiqit dhe ai vihet në kontekstin a duhet me u ekstradu në Kosovë apo në Serbi. Unë mendoj që dëmi që i bëhet procesit të Millan Radojçiqit ne mosrespektimin e gjyqtarit Kurtaj prej kryeministrit tonë Albin Kurti është shume iu madh dhe mendoj që është duke gabuar në këtë moment. Kryeministri është dashur që për hir të të kredibilitetit të gjykatës, për hir të gjykatësit, që iu ka besu krejt hemtimi i Radojçiqit me shku ne prokurori.
Pse dikush me i besu Valon Kurtaj në fletarrestet ndërkombëtare të Interpolit, kur atij kryeministrit i vet s’po i beson, për një veprim të thjesht”, ka shtuar Gashi.
Kryeministri Kurti, ndërkohë, ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore, por ka insistuar që intervistimi të bëhet në zyrën e tij në Kryeministri. Ai ka thënë se nuk i ka refuzuar ftesat e Prokurorisë, por kërkon të shmangë interpretimet që mund ta paraqesin atë si të përfshirë në një rast korrupsioni.
Në një reagim, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë theksuar se respektimi i ligjit është detyrim për të gjithë dhe se deklaratat e Kurtit janë duke dëmtuar funksionimin e institucioneve demokratike.