Krahas krizës energjetike, rritjes së inflacionit në treg dhe grevës në arsim, Republika e Kosovës është përballur edhe me një sfidë përgjatë javës së dytë të shtatorit e që është një sulm kibernetik.
Si shteti më i ri në Evropë, sfidat janë të njëpasnjëshme.
Ishte pasditja e së martës kur drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Halil Krasniqi konfirmoi për Portalin Dukagjini se ky institucion ishte sulmuar nga sulmet kibernetike që nga ora 8:00 e mëngjesit.
Portali Dukagjini mëson se dyshohet që arsyeja e sulmeve kibernetike në Kosovë ka ardhur si shkak i pakënaqësive të hakerave për mosrespektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, siç është e drejta e bartjes së shamisë, temë kjo e cila ngriti inciativa kohëve të fundit për lejimin e bartjes së saj në shkolla.
“Në bazë të një e-maili të komunikuar në Zyrën e Kryeministrit, në media dhe institucione, mësohet se sulmi i hakerave ka ndodhur si shkak i mosrespektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë”, ka thënë një burim i Portalit Dukagjini.
Se çka e bëri Kosovën cak të sulmeve kibernetike, Portali Dukagjini ka kontaktuar me njohës të fushës.
Njohësi i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, sulmet kibernetike i ka cilësuar të përballueshme për Kosovën, mirëpo, sipas tij, kjo nuk do të thotë se në të ardhmen Kosova nuk do të përballet me sulme më të sofistikuara.
Se çfarë hapash duhet të ndërmarrë Kosova që këto sulme të jenë gjithëherë e më të përballueshme, ai mendon se një bashkëpunim në mes institucioneve dhe sektorit privat do të ndikonte në avancimin e mëtejshëm të sigurisë.
“Shumë kompani kosovare operojnë në tregun ndërkomëbtar ku u ofrojnë shërbime kibernetike kompanive ndërkombëtare. Nevojitet një bashkëpunim me sektorin privat, ashtu që të ishte një kualitet më i mirë i mbrojtjes në këtë drejtim”, ka deklaruar Doli.
Doktori i shkencave në sisteme të informacione dhe njëherësh, ish-drejtori i Agjensisë së Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashi, ka thënë se zakonisht sulmet që u bëhen shteteve vijnë nga shtetet jomike.
Sipas tij, sulmet kibernetike kanë një adresë të caktuar.
“Sulmet kibernetike që i drejtohen Kosovës dhe institucioneve, adresa kryesore është agjensia e shoqërisë së informacionit dhe infrastruktura e rrjetit kompjuterik shtetëror”, ka deklaruar Gashi, i cili ka thënë se Kosova ka relativisht kapacitete në këtë drejtim.
Ai ka theksuar se ASHI-ja nuk po merr mbështetjen e duhur nga institucionet e vendit e as investime në teknologjitë e mbështetjes së sigurisë kibernetike, pa lënë anash as stafin me kapacitete të larta dhe vite të shumta përvojë pune që përmban.
Ky nuk është sulmi i parë që Gashi kujton qëkur u themelua ASHI-ja, por sipas tij nuk ka dyshim që ky sulm ishte vetëm një përpjekje pa rezultat.
Ai thotë se që nga themelimi i ASHI-së ka pasur sulme të kohëpaskohshme dhe se sulmet e kohëve të fundit janë më masive.
“Këto sulme nuk janë ndalur asnjëherë dhe vazhdojnë edhe sot. ASHI vazhdon t’u bëjë ballë dhe nuk ka pasur asnjëherë rast kur një autor keqdashës ka arritur të marrë të dhënat e qytetarve dhe të mbajë në menaxhim sistemet e informacionit”, ka deklaruar Gashi, gjersa ka theksuar se “ka pasur përpjekje, por asnjëherë nuk kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë”.
Por, sipas Avni Ismajli, ekspert i sigurisë, ndonëse Kosova nuk është imune, ajo nuk është një cak i sulmeve kibernetike.
“Kosova për momentin nuk është target i sulmeve kibernetike por nuk do të thotë që nuk mund të sulmohet”, ka deklaruar Ismajli, gjersa ka theksuar se çfarë ka ndodhur në shtetin e Shqipërisë duhet të shërbejë si alarm. Megjithëse, ai përsëri se nuk e sheh Kosovën si një cak i sulmeve kibernetike dhe terroriste, të paktën edhe për një kohë.
Më herët të martën, Qeveria e Kosovës ka reaguar me një postim pas sulmeve në Telekom.
“Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës: Sulmi kibernetik është tejkaluar, nuk janë cenuar të dhënat
Më 10 shtator të këtij viti, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte deklaruar se Irani kishte realizuar një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë.
Përmes një postimi në Twitter, Rama ka bërë të ditur se ndonëse po punojnë me aleatët që sistemet digjitale t’i bëjnë të pakalueshme ndaj sulmeve, Irani ka sulmuar sistemin e kontrollit elektronik TIMS.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, kishte shkruar Rama.
Tri ditë më herët, përkatësisht më 7 shtator, Rama bëri të ditur se mardhëniet diplomatike me Iranin ishin ndërprerë nga ana e Shqipërisë, për shkak të sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.
Rama ka njoftuar se vendimi i është bërë i ditur Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë. Sipas njoftimit të shtetit shqiptar, personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ i ishte kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë.