Mosshpërndarjen e librave shkollor falas për nxënësit nga Ministria e Arsimit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Valentina Bunjaku, e ka quajtur skandal.
E ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për vendimin e MASHT-it dhe “luftën” e Qeverisë me prokurorët dhe gjyqtarët, Bunjaku ka thënë se me këtë vendim do të dëmtohet buxheti i Kosovës.
“Sa herë që zgjohemi në mëngjes presim ndonjë skandal qoftë nga kryeministri apo qeverisë. Jemi bërë imun tashmë, ky është një skandal i radhë si ministrisë së Arsimit. Ajo është ministre dhe duhet të gjejë një zgjidhje që fëmijëve t’iu jepen tekstet shkollore pa pagesë. Do të dëmtohet buxheti i Kosovës. Kjo qeveri po ka regres. Do të jetë problem për prindërit që nuk i kanë kushtet e mira. Kjo Qeveri po e kthen Kosovën 10 vjet mbrapa”, është shprehur ajo.
Ndryshe, sot ministrja Nagavci bëri të ditur se janë duke e shqyrtuar mundësinë që librat shkollorë t’i blejnë prindërit e pastaj të rimbursohen nga Ministria.
Për këtë çështje kanë reaguar edhe partitë opozitare, të cilat e kanë cilësuar të dëmshme këtë mënyrë të shpërndarjes së librave.
Bunjaku: Në këtë qeveri po lulëzon korrupsioni
Deputetja e LDK-së, ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari pas arrestimit të zyrtarëve të Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmeni të dyshuar për keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore, gjatë operacioni policor gjatë paradites së të premtes.
Sipas saj, ndonëse Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me kauzën se janë kundër korrupsionit, siç thotë Bunjaku, në të njëjtin ekzekutiv po “lulëzon” korrupsioni.
“Është skandal i llojit të vet. Hajdari nuk është dashur të lejojë keqpërdorimet. Në këtë rast është një dëm për Kosovën dhe ka dyshime për keqpërdorime. Vjen në komision, nuk deklaron në komision që mjetet janë dhënë në avans ndërsa produktet nuk i kanë pranuar, ajo moralisht duhet të japë dorëheqje dhe jo ta pengojë prokurorinë që të hetojë këto raste. Kjo Qeveri ka ardhur me kauzën që janë kundër korrupsionit, nepotizmit, ndërsa po lulëzon korrupsioni, me Martin Berishaj, Nagip Krasniqi, rezervat shtetërore, edhe me tekstet shkollore. Arroganca e numrave e ka bërë kryeministrin Kurti që të ndihet komod. Është Qeveria më e papunë, më së paku ka sjellë projektligje në kuvend. Kjo mazhorancë duhet ta marrë seriozisht punën e Kuvendit dhe nuk duhet të bëjnë shaka me deputetët”, tha ajo.
Ajo ka potencuar se detyrë e kryeministrit dhe ministrave është që të bashkëpunojë me prokurorinë.